fbpx

Dënim qesharak për biznezmenin që iu lënduan punëtorët në vendin e punës

Dënim qesharak për biznezmenin që iu lënduan punëtorët në vendin e punës

Gjykata Themelore në Prishtinë, të enjten, e ka dënuar me katër muaj burgim me kusht të akuzuarin për punime ndërtimore të kundërligjshme, Fehat Zeqiri.

Ky dënim i shqiptuar nga gjykata nuk do të ekzekutohet nëse i akuzuari Zeqiri, nuk kryen vepër tjetër penale brenda afatit prej një viti, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Ai po akuzohet se për shkak të pakujdesisë së tij si punëkryerës dhe pronar i firmës ndërtimore NPP “Arditi”, nuk ka ndërmarrë masat për përdorimin e pajisjeve dhe veglave të punës, ashtu që ka ardhur deri te shembja e bazës së betonit, ashtu që janë lënduar punëtorët Istref Bytyqi dhe Besnik Gashi.

Aktgjykimi ndaj tij është shpallur nga gjykatësi Hanefi Jashari, pasi i akuzuari Zeqiri në këtë shqyrtim fillestar e ka pranuar fajësinë për këtë vepër.

I akuzuari Zeqiri është obliguar të paguajë shumën prej 30 euro në emër të paushallit gjyqësor dhe 20 euro tjera për ekspertizën mjekoligjore.

Gjykatësi Jashari, ka njoftuar se pala e dëmtuar për realizimin e kërkesës pasurore juridike është udhëzuar në kontest civil.

Sipas tij, pala e pakënaqur ka të drejtë ankese ndaj këtij vendimi brenda afatit prej 15 ditëve nga dita e marrjes së kopjes së këtij aktgjykimi.

Paraprakisht, pas leximit të aktakuzës nga prokurorja Merita Lumezi, i akuzuari Fehat Zeqiri ka pranuar fajësinë për të gjitha pikat e aktakuzës.

“Ndihna fajtor. Nuk kam presion prej kurrkujt”, tha i akuzuari Zeqiri.

Ky pranim  fajësie nuk u kundërshtua nga prokurorja Lumezi dhe si i tillë u aprovua nga gjykatësi Hanefi Jashari me arsyetimin se ishte bërë në mënyrë vullnetare, pa presion dhe se gjen mbështetje në provat që janë pjesë e shkresave të lëndës.

Prokuroria Themelore në Prishtinë më 9 gusht 2017, ka ngritur aktakuzë ndaj Fehat Zeqiri në drejtim të kryerjes së veprës penale ”Punimet ndërtimore të kundërligjshme”, nga neni 368 par.3 lidhur me par.1 të KPRK-së.

Sipas prokurorisë, më 10 qershor 2014, rreth orës 07:55, në rrugën “Ferit Curri” në Prishtinë, i akuzuari Fehat Zeqiri, në cilësinë e personit përgjegjës si pronar i firmës NPP “Arditi”, me seli në Prishtinë, me rastin e mbikëqyrjes dhe kryerjes së punëve ndërtimore, vepron në kundërshtim me rregullat e përgjithshme të pranuara teknike.

Gjithnjë sipas akuzës, inspektorët e punës në vendngjarje kanë konstatuar se aksidenti shkaktohet për shkak të pakujdesisë së punëkryerësit, i cili nuk ka ndërmarrë masat për përdorimin e pajisjeve dhe veglave në procedimin e punës, e cila ka ndikuar në sigurimin e strukturës mbajtëse-bazës (shtyllave mbajtëse) të pllakës së betonit, ku si pasojë ka ardhur deri te shembja e bazës, me ç’rast punëtorët Istref Bytyqi dhe Besnik Gashi, pësojnë lëndime trupore.