Dënohen me kusht dy pjesëtarë të stafit civilë të policisë të akuzuar për korrupsion

Dënohen me kusht dy pjesëtarë të stafit civilë të policisë të akuzuar për korrupsion

Dy zyrtarët policorë të akuzuar për keqpërdorim të pozitës zyrtare, Zenel Telaku dhe Liri Bibaj, të hënën, janë dënuar me nga gjashtë muaj burgim me kusht, pasi janë shpallur fajtorë nga Gjykata Themelore në Prishtinë.

Por, sipas këtij aktgjykimi të shpallur nga ana e gjykatësit Hamdi Ibrahimi, dënimi ndaj tyre nuk do të ekzekutohet nëse ata nuk kryejnë vepra tjera penale brenda periudhës dy vjeçare, gjegjësisht një vjeçare, për të akuzuarin Bibaj.

Telaku dhe Bibaj, janë obliguar që të paguajnë edhe shpenzimet procedurale dhe shpenzimet e ekspertizës financiare në vlerë prej 250 euro, në emër të paushallit gjyqësor shumën prej 150 euro si dhe 50 euro të tjera, taksë për viktimat e krimit.

Avokaturës Shtetërore, e cila e përfaqësonte Policinë e Kosovës në këtë proces gjyqësor, sipas aktgjykimit, i refuzohet kërkesa pasurore juridike në emër të Policisë, pasi që paratë për të cilat thuhej se ishte dëmtuar Policia e Kosovës në shumë prej 2,495,96 euro, ishin kthyer nga kompania kontraktuese.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, i akuzonte Zenel Telakun dhe Liri Bibajn se gjatë implementimit të kontratës për vendosjen e tualeteve statike dhe kontejnerëve për mbeturina nëpër regjionet e Policisë së Kosovës në Prishtinë, Pejë, Mitrovicë, Ferizaj dhe Gjilan në mes të kompanisë “MSS” nga Prishtina dhe Policisë së Kosovës të njëjtit kanë shpërdorur detyrën zyrtare, me ç’rast i kanë sjellë përfitim pasuror kompanisë “MSS”, duke i bërë pagesa për shërbime të pa kryera.

Gjithnjë sipas aktakuzës, i akuzuari Zenel Telaku, ka bërë aprovimin e kërkesës për pagesën e faturave kompanisë “MSS”, duke ia lejuar që t’i bëhet pagesa e shumës prej 4.503.00 euro për vendosjen e 285 tualeteve statike edhe pse kompania “MSS” nuk e kishte bërë vendosjen e tyre./Betimi për Drejtësi/