Dënohet drejtori i “InfraKos” për mos deklarim të pasurisë

Dënohet drejtori i “InfraKos” për mos deklarim të pasurisë

Gjykata Themelore në Prishtinë, të mërkurën, e ka dënuar me 500 euro gjobë, drejtorin e Departamentit të Komunikacionit të Hekurudhave të Kosovës “InfraKos”, Sabit Thaqi, pasi ai e ka pranuar fajësinë për mos raportim të pasurisë.

Shpallja e këtij aktgjykimi është bërë nga gjykatësi Kushtrim Shyti, i cili e ka njoftuar të akuzuarin Thaqi se pagesa e dënimit me gjobë duhet të bëhet në afat prej 15 ditësh, pas plotfuqishmërisë së këtij aktgjykimi, raporton “Betimi për Drejtësi”.

E në rast të mos pagesës së dënimit me gjobë, gjykatësi Shyti, ka thënë se të akuzuarit ky dënim do t’i zëvendësohet me burg, ku një natë do t’i llogaritet me 20 euro.

I akuzuari Thaqi është obliguar të paguajë shumën prej 30 euro në emër të paushallit gjyqësor, si dhe 30 euro të tjera në emër të fondit për kompensimin e viktimave.

Gjykatësi Shyti, ka bërë të ditur se pala e pakënaqur ka të drejtë ankese ndaj këtij vendimi brenda afatit prej 15 ditësh nga dita e marrjes së aktgjykimit.

Ndryshe, i akuzuari Thaqi e ka pranuar fajësinë në shqyrtimin fillestar të mbajtur të mërkurën.

“E pranoj fajësinë, është dashur të jem më i kujdesshëm. Jam i penduar pavarësisht rrethanave që kanë ndodhur te unë. Kërkoj nga gjykata që të më shqiptoj një dënim ma të butë, thjeshtë e kam harruar datën e deklarimit”, ka thënë i akuzuari Thaqi.

Pranimi i fajësisë nga i akuzuari nuk është kundërshtuar nga prokurori Shpend Krasniqi dhe më pas është aprovuar nga gjykatësi Shyti, me arsyetimin se pranimi ishte vullnetar, pa presion dhe se gjen mbështetje në provat që janë pjesë e shkresave të lëndës.

Ndryshe Prokuroria Themelore në Prishtinë më 26 qershor 2019, kishte ngritur aktakuzë ndaj Sabit Thaqi për veprën penale “mos raportimi apo raportimi i rremë i pasurisë, i të ardhurave, i dhuratave ose i dobisë tjetër materiale ose detyrimeve financiare” nga neni 430 par. 1 të KPRK-së.

Ai akuzohet se nga 1 mars deri më 31 mars 2019, në cilësinë e zyrtarit të lartë publik, përkatësisht Drejtor i Departamentit të Komunikacionit në Hekurudhat e Kosovës “InfraKos” Sh.a, edhe pse ka qenë i detyruar ta bëjë deklarimin e pasurisë, të ardhurave, dhuratave, dobisë tjetër materiale apo detyrimeve financiare, nuk e ka deklaruar pasurinë brenda afatit ligjor për periudhën kohore nga 1 janari deri më 31 dhjetor të vitit 2018. /BetimipërDrejtësi