Dënohet me 2 vjet burgim Burim Zhjeqi, njëri nga sulmuesit e Sokol Zogajt

Dënohet me 2 vjet burgim Burim Zhjeqi, njëri nga sulmuesit e Sokol Zogajt

Gjykata Themelore në Prishtinë ka dënuar me dy vjet burgim Burim Zhjeqin, personin i cili sulmoi Sokol Zogajn, ish-ushtruesin e detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të Shërbimit Korrektues të Kosovës.

Këtë e ka bërë të ditur Gjykata Themelore e Prishtinës përmes një komunikate për media.

Gjykata Themelore në Prishtinë – Departamenti i Përgjithshëm ka shpallur Aktgjykimin kundër të akuzuarit Burim Zhjeqi dhe është dënuar me dënim me burgim në kohëzgjatje prej 2 (dy) viteve për veprën penale “Sulm ndaj personit zyrtar” gjatë kryerjes së detyrave zyrtare.

“Me datë 16.08.2017, rreth orës 07:12, në rrugën “Imzot Nikë Prelaj” në lagjen Ulpiana, në Prishtinë, pas marrëveshjes paraprake me të pandehurit B.A dhe G.M, i akuzuari B.ZH, me dashje ka kontribuar në krijimin e kushteve për kryerjen e veprës penale të sulmit ndaj Ushtruesit të detyrës së Drejtorit të Përgjithshëm të Shërbimit Korrektues të Kosovës- të dëmtuarit S.Z”, thuhet në komunikatën e Gjykatës.

Siç njofton Gjykata, Burim Zhjeqit i vazhdohet masa e paraburgimit “deri në plotfuqishmëri e këtij aktgjykimi.”

Drejtori i Shërbimit Korrektues të Kosovës, Sokol Zogaj ishte sulmuar në hyrjen e banesës së tij nga persona të maskuar.

Ai ishte rrahur me shufra metalike dhe mjete tjera të forta në kohën kur po shkonte në punë./Insajderi.com