Dënohet me burg e gjobë personi që pranoi se kishte mashtruar një grua

Dënohet me burg e gjobë personi që pranoi se kishte mashtruar një grua

Gjykata Themelore në Prishtinë, të enjten, e ka dënuar me pesë muaj burg efektiv, të akuzuarin për mashtrim, Ramush Salihu.

I akuzuari Salihu, gjithashtu është dënuar edhe me 300 euro gjobë, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Aktgjykimin e ka shpallur gjykatësi i çështjes Agim Kuçi, pasi që i akuzuari e kishte pranuar fajësinë në seancën e shqyrtimit fillestar të mbajtur më 19 qershor 2019.

Gjithashtu, pranimin e fajësisë nga i akuzuari, nuk e kishte kundërshtuar prokurorja e rastit, Ajshe Ferati, si dhe atë e kishte mbështetur edhe mbrojtësi i tij, avokati Nysret Islami, i caktuar sipas detyrës zyrtare.

Gjykatësi Kuçi, e ka obliguar të akuzuarin edhe në shpenzimet procedurale, aq sa do të bëhen sipas llogarive përfundimtare, dhe atë shumën prej 50 euro në emër të paushallit gjyqësor si dhe 30 euro në llogari të fondit për kompensimin e viktimave të krimit.

Pala e dëmtuar për realizimin e kërkesës pasurore juridike është udhëzuar në kontest civil.

Sipas gjykatësit Kuçi, pala e pakënaqur ka të drejtë ankese ndaj këtij vendimi, në afat prej 15 ditësh nga dita e marrjes së kopjes së këtij aktgjykimi.

Ndryshe, Prokuroria Themelore në Prishtinë më 28 janar 2016, ka ngritur aktakuzë ndaj Ramush Salihut, të cilin e akuzon se më 19 nëntor 2015, në Prishtinë, me anë të paraqitjes së rreme të fakteve dhe me qëllim që vetes apo personit tjetër ti sjell dobi pasurore të kundërligjshme e ka sjell në lajthim të dëmtuarën B.Sh.

Siç thuhet në aktakuzë, i akuzuari ka hyrë në lokalin e kozmetikës i cili gjendet në rrugën “Rrustem Statovci” dhe ja ka kërkuar 80 euro, duke ju drejtuar me fjalët “unë ty ti jap 100 euro, e ti mi jep 80 euro, se po më nevojiten me ja kthye një pale, se unë punoj si pemëshitës në afërsi të lokalit tuaj, kurse edhe 20 euro vi i marrë ma vonë”, ku e njëjta ia kishte dhënë 80 euro, pa i marrë 100 euro, të cilat ia kishte premtuar i dëmtuari, me ç’rast të dëmtuarës i ka shkaktuar dëm material.

Me këto veprime, prokuroria e ngarkon të akuzuarin me veprën penale “mashtrimi”, nga neni 335 par.1 të KPRK-së.