Dënohet me gjobë punëtori i sigurimit të bankës që e kishte grushtuar pensionistin

Dënohet me gjobë punëtori i sigurimit të bankës që e kishte grushtuar pensionistin

Gjykata Themelore në Prishtinë, dega në Drenas, e ka dënuar me tre muaj burgim të akuzuarin për lëndim të lehtë trupor, Petrit Caraku.

Por, dënimi me burgim me pëlqimin e të akuzuarit, është zëvendësuar me gjobë në lartësi prej 1.200 euro, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Gjithashtu, ai është ngarkuar dhe me shpenzimet e procedurës në shumë prej 20 euro, taksën për Programin për Kompensimin e Viktimave të Krimit në shumë prej 30 euro, si dhe paushallin gjyqësor në shumë prej 30 euro.

Kurse, i dëmtuari Brahim Ahmetaj është udhëzuar në kontest civil, për realizimin e kërkesës pasurore juridike.

Në seancën fillestare që ishte mbajtur më 23 dhjetor 2019, i akuzuari e kishte pranuar fajësinë lidhur me veprën që i vihej në barrë.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 23 gusht 2019, ka ngritur aktakuzë kundër Petrit Caraku, të cilin e ka ngarkuar me veprën penale “Lëndim i lehtë trupor”, nga neni 185 paragrafi 1, nën paragrafi 1.4, lidhur me paragrafin 3,  nën paragrafin 3.1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës.

Sipas aktakuzës, më 27 maj 2019, rreth orës 11:20, në Bankën Ekonomike, në rrugën “Fehmi dhe Xhevë Lladrovci”, në Drenas, i pandehuri Caraku, pas një mosmarrëveshje momentale me të dëmtuarin Behram Ahmetaj, me dashje që t’i shkaktojë lëndime trupore e ka sulmuar fizikisht atë.

Siç thuhet në aktakuzë, i pandehuri ka vepruar në atë mënyrë, që si punëtor i sigurimit në atë bankë, nuk e ka lejuar të dëmtuarin të hyjë brenda në bankë edhe përkundër kërkesës së të dëmtuarit, pasi që ishte i lodhur dhe nuk mund të prishte në këmbë.

Gjithmonë sipas aktakuzës, në momentin kur i pandehuri hynë brenda në bankë, pas tij hynë edhe i dëmtuari dhe pasi kishte marr pensionin, kur ka dalë te shkallet i kishte thënë të pandehurit “marre është për ty me na maltretue”, ndërsa i pandehuri me grushte të dorës, kishte filluar të sulmonte atë, duke e goditur disa herë në fytyrë dhe nga kjo goditje i njëjti është rrëzuar në tokë, duke i shkaktuar atij lëndime të lehta trupore, me pasoja të përkohshme për shëndetin.