Dënohet me kusht personi që vidhte veturat me çelësa brenda

Dënohet me kusht personi që vidhte veturat me çelësa brenda

Gjykata Themelore në Pejë e ka dënuar me një vit burgim me kusht, Valon Loxhën, personin i cili merrte automjetet që i gjente me çelësa brenda tyre, transmeton Insajderi.

Logja ka pranuar fajësinë për dy vepra penale – vozitjen e dy veturave, një e Bashkësisë Islame dhe një e Komunës, duke shkaktuar veprën penale ‘Cënimi i paprekshmërisë së mjeteve motorike’.

“Sipas aktgjykimit ndaj të akuzuarit Loxha, gjyqtari Veton Ademaj fillimisht kishte shqiptuar nga 7 muaj burgim me kusht për dy veprat penale, e më pas ishte shqiptuar dënimi unik në kohëzgjatje prej 1 viti burgim me kusht. Në aktgjykimin e përpiluar më 16 prill të këtij viti, thuhet se dënimi me burgim ndaj Loxhës nuk do të ekzekutohet, nëse i njëjti nuk kryen ndonjë vepër tjetër penale brenda dy viteve”, bëjnë të ditur nga “Betimi për Drejtësi”.

Për më tepër, në njoftim thuhet se Loxha duhet ta paguajë paushallin gjyqësor prej 20 eurosh, si dhe taksën për kompensim të viktimave të krimit në vlerë prej 30 eurosh.

Në anën tjetër, komuna e Pejës dhe Mustafë Lajçi si palë të dëmtuara nuk do të bëjnë kërkesë juridiko-pasurore. /Insajderi.com