Departamenti Amerikan i Shtetit: Korrupsioni në Kosovë pasojë e ndërhyrjeve politike

Departamenti Amerikan i Shtetit: Korrupsioni në Kosovë pasojë e ndërhyrjeve politike

Departamenti Amerikan i Shtetit ka publikuar një raport mbi Klimën e Investimeve në botë për vitin 2020.

Në këtë raport përmendet korrupsioni në Kosovë, ku si problem kryesor theksohet forma e ndërhyrjes politike e cila pengon tërheqjen e investimeve e huaja, njofton Insajderi.

Në raport përmendet edhe korrupsioni në forma të tjera si në prokurime publike si dhe në biznese lokale dhe ndërkombëtare.

Në raport thuhet se Kosova ka potencial për të tërhequr investime të jashtme, por ky potencial është i kufizuar edhe për shkak të integrimeve të cilat po ashtu janë të kufizuara.

Në raportin e Departamentit Amerikan të Shtetit është përmendur edhe “përpjekja e Qeverisë Kurti për luftimin e korrupsionit në Kosovë”.

“Qeveria Kurti, e cila filloi mandatin e saj në shkurt 2020, por ra në mars 2020 dhe që nga maji 2020 ishte në statusin e kujdestarit, ndërmori një numër hapash konkretë për të luftuar korrupsionin dhe ndërhyrjet politike, por duke pasur parasysh mandatin e saj të shkurtër nuk ishte në gjendje të institucionalizonte të gjitha masat e saj dhe të ndryshojë perceptimin e ndërhyrjes politike në administratën publike dhe sistemin gjyqësor”, thuhet  në këtë raport.

Po ashtu bëhet e ditur se Agjencia Kundër Korrupsionit dhe Zyra e Auditorit të Përgjithshëm janë agjencitë qeveritare të mandatuara për të luftuar korrupsionin. /Insajderi.com