Deputetët e LDK-së, Shala dhe Avdyli: Vota për Qeverinë Hoti do të dihet në ditën e votimit

Deputetët e LDK-së, Shala dhe Avdyli: Vota për Qeverinë Hoti do të dihet në ditën e votimit

Bashkë me Kryetaren e Kuvendit, Vjosa Osmani, edhe dy deputetët e LDK-së, Ardian Shala dhe Haxhi Avdyli kanë votuar kundër mocionit për rrëzimin e Qeverisë së drejtuar nga Albin Kurti.

E paqartë mbetet nëse ata do të ngrisin dorën pro Qeverisë me Kryeministër Avdullah Hotin që është paralajmëruar të formohet ditëve në vijim.

Shala dhe Avdyli sot kanë thënë se tek kur të mbahet seanca për votimin e Qeverisë do të mësohet edhe qëndrimi i tyre, shkruan Klan Kosova.

“Kam qenë për Qeverinë e Shpresës dhe isha që të mos rrëzohej në kohën e pandemisë. Tash kemi një situatë tjetër, ku nga partia ime është kandidati për kryeministër i përkrahur nga Këshilli i Përgjithshëm”, është shprehur Shala.

“Jam duke u konsultuar ende me shumë qytetarë dhe me strukturat e partisë në degën prej nga vijë unë dhe vendimi im do të dihet në ditën e votimit për Qeveri në Kuvend. Deri atëherë mbaj këtë qëndrim”, ka deklaruar ai.

Kontaktuar përmes telefonit, Avdyli ka qenë fare i shkurtër në përgjigje duke thënë: “Votën do ta tregoj vetëm në Parlament në ditën e votimit të Qeverisë”.