Deputetët e VV-së dhe të PSD-së përplasen në komision – Haxhiu e akuzon PSD-në për vjedhje

Deputetët e VV-së dhe të PSD-së përplasen në komision – Haxhiu e akuzon PSD-në për vjedhje

Projektligji për referendumin ka përplasur dy ish partiakët, Albulena Haxhiu e Vetëvendosjes dhe Frashër Krasniqi nga PSD-ja. Kjo përplasje e tyre ka ardhur pasi që VV e akuzon PSD-në se e kanë dorëzuar në Kuvend projektligjin e tyre për referendumin.

Kritika rreth projektligjit kanë pasur edhe anëtarët e tjerë të komisionit për Legjislacion, megjithatë në fund projektligji ka kaluar duke marrë 7 vota pro, një abstenim, kurse deputeti i Listës Serbe Igor Simiq nuk ka marrë pjesë në votim.

Ishte kryetarja e komisionit për Legjislacion, Albulena Haxhiu, e cila pati shumë kritika rreth projektligjit, duke thënë se ka shumë gabime. Madje, ajo tha se disa çështje teknike janë ashtu siç i kanë lënë kur kanë qenë në Vetëvendosje.Në projektligj sipas Haxhiut ka shumë probleme dhe ato sipas saj janë përmbajtjesore. Përkundër kësaj ajo shprehet se referendumi është shumë i nevojshëm për Kosovën.

Menjëherë ka reaguar deputeti i PSD-së Frashër Krasniqi, duke thënë se problematike për VV-në  është çdo veprim pozitiv e që nuk është pronare e saj kjo lëvizje.

Ai u shpreh se pajtohet që ka shumë gabime në projektligj, por sipas tij e rëndësishme është që ky ligj të bëhet.Ndërsa, ka thënë se edhe në kohën kur kanë qenë në VV, këtë projektligj e kanë bërë një grup ekspertësh në bashkëpunim me deputetët tashmë të PSD-së Faton Topalli dhe Shqipe Pantina. Përsëri ka reaguar kryetarja e komisionit të VV-së Albulena Haxhiu, duke thënë se deputeti Faton Topalli nuk e ka shkruar asnjë rresht në atë projektligj.

Përplasja mes tyre ka vazhduar edhe më tej, ku deputeti i PSD-së Frashër Krasniqi ka thënë se e shkruan në histori që këtë projektligj e ka bërë VV vetëm që ligji të bëhet. Ndërsa, deputetja e VV-së Albulena Haxhiu iu ka drejtuar duke thënë t’i lerë lojërat dhe akuzat e pabaza.Në këtë përplasje në mes të dy ish partiakëve ka reaguar deputeti i VV-së Sami Kurteshi, duke thënë se krejt fajet i ka SHIK-u. Ndërsa, për projektligjin ai ka thënë se ka shumë probleme.

Përmendja e SHIK-ut nga deputeti i VV-së Sami Kurteshi, ka bërë që deputeti i PDK-së Hajdar Beqa të thotë se edhe ai kur është bërë Avokat i Popullit është folur se e ka bërë SHIK-ut.

Ndërsa, sa i përket projektligjit ai ka propozuar që nëse heq dorë propozuesi, komisioni të marrë këtë nismë dhe ta bëjnë të gjithë punën komisioni.Deputeti Korab Sejdiu, ka thënë se projektligji i PSD më tepër ngjan me një dokument të grupit punës sesa një projektligj. Ai ka abstenuar gjatë votimit për këtë projektligj duke thënë se ka shumë gabime.Në këtë mbledhje të komisionit është diskutuar edhe raporti i Avokatit të Popullit në lidhje me organizimin e votimit jashtë vendit për zgjedhjet parlamentare dhe lokale. Avokati i Popullit Hilmi Jashari ka paraqitur rekomandimet e Institucionit të Avokatit të Popullit, për këto rekomandime komisioni ka marrë vendim që të formojë një grup punës që të bëjë plotësim ndryshimin e ligjit për zgjedhje sipas atyre rekomandimeve të Avokatit të Popullit.

Po ashtu, në këtë mbledhje është shqyrtuar edhe raporti me amendamente i Komisionit Funksional për Projektligjin për Produkte të Ndërtimit.