Deputetët s’kanë interesim për seancë, Kuvendi shkon në pauzë

Deputetët s’kanë interesim për seancë, Kuvendi shkon në pauzë

Kanë kaluar mbi gjysmë ore prej kur do të duhej të fillonte seanca e Kuvendit të Kosovës e cila është thirrur për orën 10:00.

Por, interesimi i deputetëve është i vogël për të ardhur në seancë.

Pas mbledhjes së kryesisë së Kuvendit e cila është mbajtur sot në ora 9:00, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Lëvizja Vetëvendosje, e kanë konfirmuar se nuk do të marrin pjesë në seancën e sotme.

Deputeti i LDK-së, Armend Zemaj tha se partia e tij nuk do të marrë pjesë në seancën e sotme të Kuvendit, kurse për seancën e së enjtes, ku do të diskutohet për tri projektligjet të cilat rrisin kompetencat e Forcës së Sigurisë së Kosovës, Zemaj tha se LDK do të marr pjesë.

Edhe deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu tha se nuk do të marrin pjesë.

“Qëndrimi ynë për seancën e sotme tashmë dihet, nuk do të marrim pjesë. Arsyet i dini, gjendja e njëjtë, institucionet e Kosovës janë duke treguar një jo qëndrueshmëri”, tha ai.

Përkundër që opozita me kohë paralajmëruan se nuk do të jenë pjesë e seancës edhe shumica e deputetëve të partive në pushtet nuk janë mbledhur në sallën e Kuvendit.