fbpx

Deputeti i AAK-së pranon se ka bërë “dallavere” me familjet e dëshmorëve të UÇK-së

Deputeti i AAK-së pranon se ka bërë “dallavere” me familjet e dëshmorëve të UÇK-së

Deputeti nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Shkumbin Demaliaj, sipas prokurorit Elez Blakaj, ka pranuar se ka bërë ‘dallavere’ me dëshmorët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Madje deputeti jepte edhe arsyeje për veprimet e tij.

Në aktakuzën e publikuar sot  nga Koha Ditore për rastin e fryrjes së listave të veteranëve, theksohet se mashtrime kishte pasur edhe tek dëshmorët e UÇK-së. Në aktakuzë theksohet edhe tentimi për ta arsyetuar këtë veprim nga anëtari i komisionit, Shkumbin Demaliaj.

“Shkumbin Demaliaj në minutën e 49:30 e pranon se ka bërë lëshime vazhdimisht tek disa raste, siç është rasti me familjarët e dëshmorëve, të cilët janë bërë veteranë me qëllim që të mos i lërë tek kategoria e dezertorëve”, thuhet në procesverbal e audioincizimi të cituar në aktakuzën e publikuar sot.

Në rolin e anëtarit të komisionit qeveritar për njohjen dhe verifikimin e statusit të dëshmorit të kombit, invalidit, veteranit dhe pjesëtarëve të UÇK-së, Demaliaj përgjegjës kryesor të fryrjes së listave të veteranëve i bënte komandantët duke përfshirë edhe shefin e tij Ramush Haradinajn.

“Shkumbin Demaliaj lidhur me këtë çështje, për numrin total për pjesën më të madhe të atyre që janë ankuar, e adreson përgjegjësinë edhe tek komandanti i Zonës Ramush Haradinaj”, thuhet në aktakuzë.

Sipas prokurorit Blakaj, 38 milionë e 882 mijë e 400 euro për një vit i kushtojnë buxhetit të shtetit 19.060 ”veteranët e rrejshëm”.

Prokurori i këtij rasti Elez Blakaj ka dhënë dorëheqje nga detyra e tij duke u larguar nga Kosova. Dyshohet se shkak i largimit të tij kanë qenë kërcënimet që i janë bërë për këtë rast./Insajderi.com