Deputeti i AAK-së tregon se kur do të votohet Qeveria e re

Deputeti i AAK-së tregon se kur do të votohet Qeveria e re

Lidhja Demokratike e Kosovës dje përzgjodhi zyrtarisht Avdullah Hotin për mandatar të qeverisë së re e cila pritet të formohet këtyre ditëve. Partnerë të koalicionit me LDK-në pritet të jenë AAK-ja, AKR-ja, Nisma dhe pakicat, parti këto të cilat tashmë veçse kanë filluar bisedimet me LDK-në për sa i përket harmonizimit të programit qeverisës.

Rasim Selmanaj, deputet i AAK-së, ka konfirmuar për portalin, që janë në bisedime me LDK-në dhe se pritet që javën e ardhshme të votohet në Kuvend, qeveria e re.

“Të dy partitë AAK dhe LDK mendoj se janë në fazën e diskutimeve. Procesi është duke shkuar mirë dhe shpresojmë që javën e ardhshme mund të jetë edhe seancë për formimin e qeverisë”, ka thënë Selmanaj për “Front Online”.

Lidhur me kërkesat që ka pasur AAK-ja për të hyrë në koalicion me LDK-në, deputeti i AAK-së ka theksuar se janë duke u diskutuar edhe ato bashkarishtë me harmonizimin e programeve të të dyja partive.

“Shpresoj që do të ketë harmonizim të programit të të dyja partive. Çështja e Autostradës përveç të tjerash është prioritet. Jemi të vetëdijshëm që buxheti është aprovuar por të shohim me buxhetin e vitit të ardhshëm se si do të veprojmë”, ka thënë Selmanaj, për “Front Online”.

Ndërsa për sa i përket demarkacionit me Malin e Zi, ai ka theksuar që është detyrë e çdo qeverie që ta finalizojnë këtë marrëveshje ndërkombëtare.

“Demarkacioni është një çështje për të cilën bëhet shumë zhurmë. Në parlament është votuar një ligj, me 3 nene. Përveç asaj të Murat Mehës është edhe raporti i Komisionit Shtetëror dhe një deklaratë e dy presidentëve. Nga ai ligj që është aprovuar në parlament kjo qeveri dhe cilado qeveri tjetër është e obliguar që ta korrigjojë kufirin në drejtim të Kullës dhe të Çakorrit”, ka thënë ai.

Dje kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Isa Mustafa ka deklaruar që në rast se arrihet marrëveshja me partnerët e koalicionit, qeveria e re do të formohet në fundjavë.