fbpx

Deputeti i LDK-së për rrahjen në parti: Ka një sistem të të menduarit provincial

Deputeti i LDK-së për rrahjen në parti: Ka një sistem të të menduarit provincial

Deputeti i LDK-së, Arben Gashi, ka thënë se situata deri te përplasjet fizike gjatë procesit zgjedhor të kësaj partie ka ardhur me fajin e lidershipit të saj.

“Është shkuar në sistemin e zgjedhje inkluzive ku në sallë mund të futen njerëz të ndryshëm dhe të tensionohet situata. Shpresoj se do të jenë pamjet e fundit nga LDK-ja në kuadër të këtij procesi zgjedhor. Situata nuk është aq e acaruar. Me sa mund të kuptoj unë ka një vullnet për ndryshim. Në nivelin qendror nuk është shfaqur dikush që e artikulon këtë vullnet. Këto shtyrje dhe tensione nuk kanë të bëjnë me ndonjë kryetar të ndonjë nëndege. Nëndega përcakton numrin e delegatëve në degë dhe dega në qendër. Janë pamje që nuk është dashtë të ndodhin në LDK, por ja që po ndodhin”, ka thënë Gashi.

“Që të gjithë njerëzit kanë preferenca dhe pikëpamje dhe ka angazhim prej nivelit qendror që të orientohet vullneti. Në momentin që vullneti nuk harmonizohet ndodh përplasja”.

Ai në Info Magazine të Klan Kosovës ka thënë se në LDK ka një sistem të të menduarit provincial.

“Menaxhimi i procesit bëhet mbi bazën e preferencës, këtij sistemi  duhet t’i jepet fund, jo llapjan, jo nga Dukagjini, jo nga Anamorava – kjo është përtej kapaciteteve të LDK-së. Nuk guxon të provincializohet. Ka zbarkuar tribalizmi në disa pjesë të LDK-së. Sistem nuk do të thotë një individ. Politikbërja provinciale duhet të përfundojë dhe kjo duhet të fillojë të përfundojë në LDK. LDK nuk guxon të provincializohet. Mendimi provincialist në 10 mijë kilometra katror është i papranueshëm”.

Telashet që po ndodhin në LDK e që së fundmi janë theksuar më shumë, sipas Gashit mund të jenë edhe si pasojë e kundërshtarëve politike.

“Ka edhe njerëz të partive tjera brenda. Ata investojnë, por problemi është i yni sepse nuk kemi qenë në gjendje të kemi një listë të konfirmuar që të dihen njerëzit se kush ka drejtë vote dhe dita e fundit të jetë ceremoni solemne. Ka një dështim të sistemit dhe nëse nuk e adresojmë saktë, do të na përsëritet. Edhe me strategjinë e fillimit të zgjedhje parcialisht ka ndikuar që të ketë kësi lloj presioni”.

“LDK duhet të gjej forcën dhe arsyen dhe të gjithë sëbashku të dalim mbi interesat personale dhe të shohim cili është interesi i LDK dhe Kosovës, mos të gjuhemi me sargie, por ka të bëjë me sistemin e të menduarit politik”, shtoi deputeti.