Deputeti i VV-së: PDK nuk e ka seriozisht rrëzimin e Qeverisë Hoti

Deputeti i VV-së: PDK nuk e ka seriozisht rrëzimin e Qeverisë Hoti

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Salih Zyba, i ka reaguar Partisë Demokratike të Kosovës, e cila tha se nëse do të marrin ftesë, do t’i bashkohen mocionit të VV-së për rrëzimin e Qeverisë së Kosovës, të udhëhequr nga kryeministri Avdullah Hoti, njofton Insajderi.

Zyba në një shkrim në Facebook ka thënë se e kanë ftuar edhe publikisht PDK-në që t’i mbështesin në mocion.

Por, sipas tij kjo parti politike nuk është serioze në rrëzimin e qeverisë.

“Ata nuk e kanë seriozisht rrëzimin e kësaj qeverie. Kjo dëshmohet çdo ditë me vepriemet e tyre në kuvend e në komisionet parlamentare, dhe mbështetet me deklaratat e tyre publike që janë të mangëta në logjikë dhe konsistencë”.

“Kushdo që mendon se vendi duhet të shkojë në zgjedhje qoftë sepse vendi ka nevojë për një rilegjitimim të institucioneve, qoftë sepse kjo qeveri është e paaftë, e dëmshme dhe jofunksionale, e trajton mocionin si qëllim e jo si kompromis ose rezultat negociator. Pra e mbështet atë si domosdoshmëri jo si pazar politik, siç po synon PDK”, ka thënë ai./Insajderi.com