Deputeti pro rrëzimit të Qeverisë Haradinaj: Kosova e kapur nga të korruptuarit

Deputeti pro rrëzimit të Qeverisë Haradinaj: Kosova e kapur nga të korruptuarit

Deputeti i pavarur i Kuvendit të Kosovës, Korab Sejdiu, duke e quajtur Qeverinë aktuale të vendit si tejet të dëmshme, ka thënë se vendi duhet sa më parë të shkojë në zgjedhje

Ai në një intervistë për gazetën “Zëri” ka thënë se është pro rrëzimit të Qeverisë Haradinaj, duke shtuar se nevojitet konsistencë mes opozitës së vendit, duke lënë anash edhe inatet personale me qëllim që kësaj Qeverie t’i jepet fund.

Sipas Sejdiut, Qeveria aktuale është një grupim i klaneve të cilët po punojnë për interesa të tyre dhe jo për interesa të Kosovës.

Sejdiu ka dhënë edhe instruksione se si duhet të zhvillohet faza përfundimtare e dialogut mes Kosovës dhe Serbisë e që sipas tij do të duhej të përfundonte sa më parë, pasi po udhëhiqet nga njerëz jokompetentë dhe pa mandat, siç është presidenti Thaçi.

Deputeti i pavarur ka folur edhe për deklaratat e krerëve kosovarë dhe atyre të shtetit serb lidhur me marrëdhëniet mes dy shteteve.

“Deklaratat zakonisht po vijnë prej dy burimeve, një nga ana e presidentit Thaçi dhe e dyta nga ana e serbëve nga presidenti Vuçiq, të cilët me gjasë këto deklarata përveç që i kanë të koordinuara mes vete më shumë i kanë për ta ushqyer atë popullzimin vendor sesa kanë ndonjë efekt ose ndonjë përmbajtjeje”.

“Po flasim për personat të cilët janë treguar jashtëzakonisht të papërgjegjshëm veçanërisht në anën tonë dhe kjo është një fatkeqësi e madhe duke e pasur parasysh se çfarë rëndësie ka raporti ynë me Serbinë për të ardhmen e Kosovës”, ka thënë Sejdiu.