Deputeti shtyp këmbësorin, ekspertiza thotë se faji është i viktimës

Deputeti shtyp këmbësorin, ekspertiza thotë se faji është i viktimës

Deputeti i qarkut të Elbasanit për PDIU, Aqif Rakipi është përfshirë në një aksident të rëndë, me pasojë vdekjen e një 53-vjeçari.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 04.40 të mëngjesit të së shtunës përgjatë autostradës Vorë-Tiranë, në afërsi të mbikalimit të Rinasit.

Viktima në momentin e aksidentit ka tentuar të kalojë menjëherë në rrugën kur është përplasur për vdekje nga autovetura që drejtohej nga Rakipi.

Nga pamja e mjetit duket se përplasja ka qënë e fortë. Pas aksidentit, deputeti Rakipi ka ikur nga vendngjarja për tu dorëzuar 10 minuta më pas në komisariatin e policisë nr. 2 në Tiranë.

Nga të dhënat e para hetimore si dhe nga deklarimet e dëshmitarëve okularë, rezulton se viktima sapo kishte zbritur nga një furgon bashkë me dy persona të tjerë.

Në tentativë për të shkuar në anën tjetër të rrugës, ai kaloi para furgonit që kishte ndaluar, kur u përplas nga benzi që drejtohej nga Rakipi.

Burime pranë grupit hetimor janë shprehur për Top Channel se deputeti Rakipi nuk rezultoi të kishte konsumuar pije alkoolike, ndërsa dyshohet se mund të kishte një shpejtësi tej normave të lejuara të atë segment rrugor.

Ndërkohë, ekspertiza ka nxjerrë fajtor viktimën në aksidentin ku u përfshi më herët gjatë ditës deputeti i Kuvendit të Shqipërisë, Aqif Rakipi.

Ndërkohë, vetë Rakipi do të hetohet në gjendje të lirë për akuzat “largim nga vendi i aksidentit” dhe “shkelje të rregullave të qarkullimit”.