Deputetja e LDK-së reagon ashpër pas fyerjes së rëndë të Veselit

Deputetja e LDK-së reagon ashpër pas fyerjes së rëndë të Veselit

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Besa Gaxherri reagoi sot në Kuvendin e Kosovës, në emër të Grupit të Grave Deputete, pas fyerjes që kryetari Kadri Veseli ia bëri deputetes së Lëvizjes Vetëvendosje, Drita Millakut.

Gaxherri i sugjeroi Veselit të kërkonte falje për fyerjen e rëndë ndaj Millakut, duke shprehur shqetësim për gjuhën që përdori kreu i Kuvendit.

“Mora fjalën me reagu në emër të Grupit të Grave Deputete. Nëse nuk jam e thirrur, ajo deputete që nuk pajtohet le të deklarohet, por ju lutem mos më ndërhyni. Z. kryetar, përdorimi i gjuhës banale dhe denigruese nga ju, është e papranueshme”, tha Gaxherri.

“Pa marrë parasysh, ju jeni kryetar i kuvendit edhe nëse ndonjëri prej deputetëve këtu degradon ose devijon, ne presim nga ju që t’ia ndërprisni fjalën ose të ndërmerrni masa, e jo të përdorni gjuhë të cilën e dëgjuam sot nga ju”, vazhdoi më tej deputetja e LDK-së.

Në fund, Gaxherri u bëri thirrje grave deputete të Kuvendit që të lëshojnë seancën në shenjë revolte ndaj gjuhës së përdorur nga Veseli.

“Andaj kërkoj, që t’i kërkoni falje Kuvendit e në radhë të parë grave deputete këtu e në të njëjtën kohë kërkoj nga gratë deputete me e leshu seancën”, tha Gaxherri.

Por, gratë deputete nuk e lëshuan seancën, e cila u ndërpre disa minuta më vonë nga kryetari i Kuvendit.

Për ta parë videon, klikoni KËTU: