
Vendimi për të marrë pjesë ose jo në protestën e Vetëvendosjes, duket se ka ndarë edhe deptuetët brenda LDK-së.
Përkundër se vendimi i partisë ishte që të mos marrin pjesë, disa deputetë kanë konfirmuar pjesëmarrjen.
Së fundi një gjë të tillë e ka konfirmuar deputeti, Haxhi Avdyli.
Ai në facebook ka shkruar se në ditën e shtunë do të protestojë i zhveshur nga petku politik, shkruan Insajderi.
“Unë vendosa. Që të shtunën nga ora 14 deri 16, ta zhveshi petkun e Neurokirugut, mësimdhënësit, veteranit por edhe kryetarit të degës së LDK-së e deputetit dhe të jem vetëm një qytetarë më shumë në Protestën e së shtunës”, ka shkruar ne Facebook, deputeti i LDK-së, Haxhi Avdyli.
“Aty do jem vetëm për Kosovën unike e të pandarë. Për hatër të asnjë lideri opozitar por vetëm kundër Hashim Thaçit vizatuesit të dështuar hartave të copëtimit Qosiqian të Kosovës”, ka shkruar tutje Avdyli.
E statusin e gjatë të Avdylit e ka përkrahur edhe deputetja nga partia e tij, Vjosa Osmani.
Ajo me një “like” ka treguar se gjithashtu mund të jetë pjesëmarrëse në protestën e VV-së të shtunën.
Një gjë të tillë deputetja Osmani e kishte thënë edhe më herët. Ajo ishte shprehur e gatshme të protestojë.
“Personalisht si deputete mund të them se protestat paqësore janë një ndër mjetet e kundërshtimit politik, kështu që në momentet kur një përfaqësues politik siç është presidenti nuk merr parasysh qëndrimet e shumicës dërmuese të spektrit politik në vend, nuk merr parasysh kushtetutën e vendit, atëherë natyrisht që edhe qytetarët duhet ta thonë fjalën e tyre, qoftë përmes zgjedhjeve, qoftë në mënyrat e tjera të shprehjes së pakënaqësive të tyre. Por, gjithnjë ato protesta duhet të jenë paqësore që të merren seriozisht”, kishte thënë Osmani për Insajderin. /Insajderi.com