Deputetja e PDK-së shkak i anulimit të shfaqjes në Preshevë – Rreth 5 mijë euro ishin ndarë për udhëtim

Deputetja e PDK-së shkak i anulimit të shfaqjes në Preshevë – Rreth 5 mijë euro ishin ndarë për udhëtim

Aktorja e shfaqjes “Bryma e Vdekjes”, Blerta Deliu, ka qenë arsyeja që kjo shfaqje mos të jepet si premier në Teatrin e Preshevës. Siç ishte raportuar ajo nuk mund të kalonte matanë kufirit për shkaqe sigurie, pasi që ajo mban edhe pozitën e deputetes në Kuvendin e Kosovës.

Deliu, e cila vjen nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), sot ka qëndruar në Kosovë dhe ka marr pjesë në Konventën e IX-të të partisë së saj, shkruan Gazeta Insajderi.

Në këtë konventë, Kadri Veseli mori mandatin e dytë si i pari i PDK-së, përderisa ky i fundit ishte ideator që shfaqja “Bryma e Vdekjes” projekt i Teatrit Kombëtar të Kosovës, ku luan deputetja e PDK-së, të udhëtojë në Preshevë. Për këtë prezantim ishin ndarë rreth 5 mijë euro nga Ministria e Kulturës, për shpenzimet dhe mëditjet e aktorëve, shkruan Insajderi.

Por gjithçka u anulua vetëm një ditë para prezantimit të shfaqjes atje. Teatri Kombëtar i Kosovës, e kishte njoftuar më 14 qershor (të premten) Teatrin e Preshevës se më 15 qershor (e shtunë), nuk do të mund të udhëtojnë për në Preshevë dhe se shfaqja do të duhej të anulohej. Arsyeja ishte mos-siguria e aktorëve, edhe pse drejtori i Teatrit të Preshevës, Valon Nuhiu, i kishte marrë masat e nevojshme dhe kishte njoftuar organet kompetente në lidhje me udhëtimin e trupës së aktorëve nga Kosova.

Ai në një njoftim në rrjetin social Facebook, kishte treguar për anulimin e shfaqjes nga Kosova, ndërsa kishte treguar se deputetja Blerta Deliu nuk është lejuar nga Qeveria e Kosovës që të udhëtojë për në Preshevë.

“Ne si institucion dhe si qytetarë jemi te zhgënjyer nga ky lajm i mos ardhjes së shfaqjes pasi që njëra nga aktoret nuk është lejuar nga Qeveria e Republikës së Kosovës që të prezantohet në këtë shfaqje në Preshevë, pasi që është edhe Deputete në Parlamentin e Republikës së Kosovës, e krejt kjo vjen për shkaqe sigurie”, thuhet në njoftimin e Teatrit të Preshevës.

Për gazetën Insajderi, ka folur drejtori i Teatrit të Preshevës Valon Nuhiu, i cili thotë se janë ndier të zhgënjyer me qasjen e Teatrit Kombëtar të Kosovës, të cilët vetëm një ditë para prezantimit të shfaqjes përpara artdashësve preshevarë, e kanë anuluar atë.

“Mendoj që për shkaqe sigurie e kanë anuluar. Unë personalisht kam qenë te kryeshefi i Stacionit Policor, ia kam tregu gjendjen, i kam treguar që janë mbi 50 veta ansambël dhe janë bërë gati krejt me ardhë, kam pasur me dal në kufi me i pritë edhe i kam treguar që njëra nga aktoret që luan në shfaqje është Blerta Deliu e cila është edhe deputete në Parlamentin e Kosovës, kemi qenë të mobilizuar të gjithë por një ditë para shfaqjes ata e anuluan”, ka thënë për Insajderin Valon Nuhiu.

Nuhiu ka treguar po ashtu për Insajderin se ju ka ardh si informatë se Kryeatri i Kuvendit Kadri Veseli do t’i mbulojë shpenzimet për këtë shfaqje.

“Neve na ka ardhë informacioni që Kadri Veseli ka thënë që këtë shfaqje ta dërgojmë në Preshevë, dhe sipas informatave që i kemi ka thënë që nëse nuk kanë mjete ata ai i mbulon të gjitha shpenzimet”, është shprehur Nuhiu.

Organizatori i Teatrit Kombëtar të Kosovës, Beqir Beqiri, i ka treguar Insajderit për mjetet që ka ndarë MKRS, për udhëtimin e shfaqjes “Bryma e Vdekjes”, me autor Milazim Krasniqi ndërsa regji të Burbuqe Berishës.

“68 euro mëditje për secilin nga 50 aktorët ishin llogarit që të ndahen, 500 euro do të kushtonte autobusi dhe 300 euro kamioni për rekuizita”, ka treguar Beqiri.

Për këtë anulim faji kryesor sipas Teatrit të Preshevës dhe njoftimit të tyre ishte i deputetes Deliu. Ajo nuk i është përgjigjur gazetës në lidhje me këtë gjë. Në përgjigjen e saj Blerta Deliu ka thënë që t’i drejtohemi Teatrit Kombëtar të Kosovës, mirëpo as drejtori i kësaj të fundit Agim Sopi, nuk u përgjigj.

Shfaqja “Bryma e Vdekjes” sjellë përvojën e autorit Milazim Krasniqi në kampin e Bllacës, gjatë kohës së Luftës. Ajo sjellë një perspektivë ku për së afërmi shihet vuajtja e thellë e mijëra njerëzve me jetë të shkatërruara. E tërë ngjarja ndodhë në zonën kufitare në mes të Kosovës dhe Maqedonisë në vendkalimin e njohur me emrin Bllaca. Vend i cili ishte vendqëndrim i detyrueshëm për mijëra civilë shqiptarë, viktima të spastrimit etnik të ushtruar nga Serbia.

Në kastën e aktorëve bëjnë pjesë: Bujar Ahmeti, Teuta Krasniqi, Valmir Krasniqi, Albulena Kryeziu-Bokshi, Artiola Hamdija, Ylber Bardhi, Blerta Deliu, Ismet Azemi, Shpëtim Kastrati, Naim Berisha, Basri Lushtaku, Xhejlane Godanci, Adhurim Demi, ndërsa në shfaqje luajnë edhe disa statista./ Insajderi.com