Deputetja e PSD-së përmend dy mundësit e vetme të Ramush Haradinajt

Deputetja e PSD-së përmend dy mundësit e vetme të Ramush Haradinajt

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Partisë Socialdemokrate, Shqipe Pantina, ka vlerësuar se kryeministri i dorëhequr, Ramush Haradinaj, dhe qeveria e tij nuk duhet të marrin vendime.

Megjithatë, sipas saj, nuk duhet të lejohet krijimi i një vakuumi institucional.

“Mendoj se institucionet tona në asnjë moment nuk duhet të kenë vakum”, ka thënë ajo në Klan Kosova.

“Për fat të keq Kushtetuta jonë nuk e përcakton qartë, ndonëse nuk pritet që kushtetutat të jenë kaq të detajuara. Nëse ju kujtohet një nga kushtet tona ishte votimi i Ligjit për Qeverinë që do ta përcaktonte qartë këtë situatë”.

“Tani qeveria duhet të vazhdojë me punët e përditshme deri sa të vijë qeveria e re. Natyrisht ata nuk mund të marrin vendime, e sidomos vendime që kanë afatin kohor më të gjatë se sa jetëgjatësia e kësaj qeverie”.

Pantina tha se Haradinaj tani ka dy mundësi – të kryejë detyrat deri në zgjedhjet e reja apo të tërhiqet dhe të zëvendësohet nga njeri prej zëvendëskryeministrave.

Megjithatë, për Pantinën ka diçka më të rëndësishme.

“Ajo çka duhet të ndodhë më shpejt është mbledhja e Kuvendit – ose të vendosë për shpërbërjen përmes votimit me dy të tretat ose me votë mosbesimi për qeverinë e dorëhequr dhe të vendoset të shkojë në zgjedhje”.

“Asnjë institucion nuk mund të thërrasë zgjedhje përderisa Kuvendi nuk ka marrë asnjë vendim”.

Ajo gjithashtu shtoi se PSD-ja po përgatitet për zgjedhje dhe është e gatshme për to, përderisa theksoi se e vetmja parti që nuk i konvenojnë zgjedhjet është PDK-ja.