Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Jetmirë Vrenezi, është pjesë e seancës së Kuvendit, por kjo ka bërë që të dështojë një seancë gjyqësore ne Prizren.
Vrenezi bashkë Islam Thaqi, Egzonë Morina-Thaqi, Arian Taraku, Isë Bislimaj dhe Shqipëron Krasniqi, akuzohen për veprën penale të keqpërdorimit të pozitës zyrtare.
Dyshimet janë se kanë “keqpërdorur” në rastin e rrënimit të aneksit të “Abi Çarshia” në Prizren, raporton Betimi në Drejtësi.
Seanca e radhës për këtë rast që ishte paraparë të mbahej të enjten në Gjykatën Themelore në Prizren, ka dështuar të mbahet pasi që paraprakisht, mbrojtësi i të akuzuarës Vrenezi, avokati Ardian Morina e kishte njoftuar gjykatën se Vrenezi është e angazhuar në seancën plenare të Kuvendit të Kosovës.
Përveç Vrenezit, në seancë nuk ishin të pranishëm as të akuzuarit Thaqi dhe Bislimaj. Po ashtu, mungoi edhe eksperti i ndërtimtarisë, Liman Mustafa. /Insajderi.com