fbpx

Dërguti i kundërpërgjigjet akuzave të Konjufcës se ka qenë pjesë e ShIK-ut

Dërguti i kundërpërgjigjet akuzave të Konjufcës se ka qenë pjesë e ShIK-ut

Nënkryetarja e Kuvendit, njëherish deputete e PSD-së, Aida Dërguti, ka mohuar se ka qenë në ShIK, siç kishte deklaruar dy ditë më parë deputeti i VV-së, Glauk Konjufca, shkruan Insajderi.

“Ne e dinim se vetëm një kolege jona ka pranuar që ka qenë në SHIK, Aida Durguti. Ne e kemi ditur se ajo ka thënë se ka qenë në ShIK, por kjo nuk ka paraqitur problem për ne, përderisa ajo ka qenë e vetëdijshme”, ka thënë Konjufca, teksa ka shtuar se beson se në ShIK ka pasur edhe njerëz që punonin për interes të vendit.

Por në seancën e sotme të Kuvendit, Dërguti ka mohuar të ketë qenë ndonjëherë pjesë e Shërbimit Informativ të Kosovës. Ajo e ka quajtur të degraduar debatin për këtë temë.

Dërguti ka thënë se e ka mundësinë e dërgimit të një padie për shpifje lidhur me këto akuza, mirëpo ka thënë se nuk po e bën këtë për shkak të respektit ndaj Konjufcës dhe siç ka thënë, situatës në të cilën ndodhet ai.

“Qe tash një vit, prej ndarjes së Vetëvendosjes po vazhdon një debat i degraduar. Nuk kam dashur të përfshihem meqë jam mësu që gjatë tërë angazhimit tim politik, gjatë tërë jetës të flas mirë për Vetëvendosjen dhe në momentin që nuk mund të flas mirë për Vetëvendosjen, unë kam vendosur të hesht. Megjithatë, para dy netësh, Glauk Konjufca më ka apostrofuar në emisionin Interaktiv si pjesë e ShIK-ut dhe besoj që ia kam borxh këtë sqarim opinionit, edhe pse e kam mundësinë e dërgimit të një padie për shpifje, por unë vazhdoj të kem respekt dhe vlerësim për Glaukun, dhe e kuptoj situatën në të cilën tashmë ndodhet”, ka thënë Dërguti.

Deputetja e PSD-së ka folur për angazhimin në UÇK dhe pas përfundimit të luftës.

Dërguti ka thënë se ka qenë e angazhuar në vlerësimin e ish-luftëtarëve të UÇK-së në G2.

“Po e them publikisht sepse nuk mohoj asnjë ditë të angazhimit tim politik e çfarëdo që kam pasë, dhe shërbimi im në UÇK ka qenë nder dhe krenari, ka qenë një kontribut modest, po në përputhje me të gjitha ligjet dhe rregulloret e luftës. Pas përfundimit të luftës, kur ne i kemi dorëzuar armët na është dhënë urdhër që të paraqitemi në zonat tona për ta vazhduar angazhimin dhe për të dhënë kontributin e mëtejmë. Atëherë, bashkë me burrin tim, jemi lajmëru në shtabin në Kolovicë ku komandant ka qenë ish-deputeti i LDK-së Nuredin Ibishi, i ashtuquajturi komandant Leka dhe i cili më ka sistemuar në zonën operative të Llapit ku jam angazhuar në verifikimin e ushtarëve të UÇK-së . Unë kam qenë në G2. E e vërteta është që ShIK-u është themelu nga fundi i tetorit nëse nuk gaboj, pas transformimit të UÇK-së dhe nuk e di nëse ka qenë Glauku ose nuk ka qenë. Unë mendoj që secili për cdo veprim të vetin duhet të marr përgjegjësi publike, edhe në këtë rast unë as nuk jam përfshi e as nuk dua të përfshihem në këtë debat”.

Dërguti ka thënë se debati për ShIK-un ka qenë debat i LDK-së e PDK-së, duke shtuar se një debat i tillë ka anashkaluar probleme të rëndësishme.

Debati për ShIK-un ka qenë debat në mes LDK-së dhe PDK-së, kur akuzat kanë qenë në njërën anë ‘ShIK’, e në anën tjetër ‘jugosllav’, e në fund kanë përfunduar në koalicione dhe ky debat është heshtë. Mendoj se pikërisht duke u marrë me debate koti, kemi anashkaluar probleme të rëndësishme”, ka deklaruar Dërguti në Kuvend. /Insajderi.com