Deri në tri orë pritje në Vërmicë

Deri në tri orë pritje në Vërmicë

Radhë të gjata janë krijuar në pikën kufitare në Vërmicë, ku qytetarëve po iu duhet të presin deri në tri orë për hyrje-dalje në territorin e Kosovës, njofton Insajderi.com.

Kështu është bërë e ditur nga Qendra për Menaxhimin Kufitar, në njoftimin e së cilës thuhet se në dalje pritjet janë deri në 15 minuta.

Siç raportohet, për pritjet e gjata qytetarët në shenjë proteste i kanë rënë borisë.

Kolonat e gjata janë krijuar vetëm në këtë pikë, pasi që në vendkalimet tjera kufitare, pritjet janë tri deri në pesë minuta.

Nga sot Shqipëria ka vënë në fuqi masa të reja anti-COVID për të hyrë brenda territorit të Shqipërisë nga të gjitha pikëkalimet kufitare.

Masat e reja kundër përhapjes së Coronavirusit, të cilat i mori Komiteti i Ekspertëve ditë më parë, tregojnë se asnjë qytetar shqiptar apo i huaj nuk mund të futet brenda territorit pa vërtetuar që nuk është i infektuar me Coronavirus.

“Të kenë pasaportën e vaksinimit, ku nga data e vaksinimit të plotë të kenë të paktën dy javë, të kenë testin PCR negativ brenda 72 orëve ose testin e shpejtë të antigenit brenda 48 orëve ose të kenë provë të kalimit të infeksionit Sars-Cov2, të vlefshme deri në 6 muaj pas shërimit”, janë tri kushtet për të hyrë në Shqipëri.

Këto rregulla janë të vlefshme edhe për ata qytetarë të cilët kalojnë tranzit në Shqipëri.

Fëmijët deri në 6 vjeç nuk i nënshtrohen këtyre rregullave. Qytetarët shqiptarë rezidentë në Shqipëri, të cilët kthehen dhe nuk kanë një nga dokumentet e sipërcituara, duhet të vetëizolohen për 10 ditë dhe të informojnë autoritetin shëndetësor për të kryer një test në fund të periudhës së izolimit. /Insajderi.com