Deri tash është shpenzuar më shumë se gjysma e rezervës shtetërore

Deri tash është shpenzuar më shumë se gjysma e rezervës shtetërore

Ministri i Financave, Bedri Hamza, ka raportuar para Komisionit për Buxhet dhe Financa dhe atij të Mbikëqyrjes së Financave Publike.

Anëtarët e të dyja komisioneve kërkuan nga ministri llogari për shpenzimet e paparashikuar të rezervave shtetërore..

Ai ka thënë se e ka ngritur këtë shqetësim dhe se sipas tij ky vit nuk dallon sa i përket këtyre shpenzimeve nga vitet paraprake, sidomos nga viti 2013.

Për vetëm dy muaj operim nga 4.8 milionë sa ishin rezervë 2.8 milionë tashmë janë shpenzuar.

Hamza sqaroi se rreth 50 përqind e këtij buxheti është shpenzuar për Kostt, për inkasimin e energjisë në veri.

Ministri Hamza ka thënë se viti 2018 nuk do të bëjë përjashtim të shpenzimeve në krahasim me vitet paraprake. Ai përmendi ndër të tjera se telashet dhe rreziqet e shfaqura në rrjetin e KOSTT mund t’i kushtojë buxhetit mbi 10 milionë euro deri në fund të vitit.

“Kjo e fundit është shumë problematike, mirëpo shkaktar për këtë është mospërmbushja e marrëveshjes nga Serbia”, tha Hamza.

Driton Selmanaj, kryetar i Komisionit për Mbikëqyrje Financiare, ka pyetur ministrin Hamza se për rastin Kumanova nga cila kategori janë ndarë mjetet, por ky i fundit ka thënë se kjo ka ndodhur në vitin 2017, duke mos përmendur se prej cilës kategori janë ndarë mjetet.

Dardan Molliqaj nga Grupi i Deputetëve të Pavarur, ka thënë për shpenzimet e fondit rezervë, është një problem i përsëritur nga të gjitha qeveritë, kështu që në të ardhmen nuk është mirë të përsëritet.

“Dëmi që po i bëhet buxhetit me problemet e KOSTT-it, është përgjegjësi përtej MF-së, lidhur edhe gjendjen e inkasimit në veri”, ka thënë Molliqaj.

Shqipe Pantina nga GDP tha se shpenzimi i fondit rezervë është bërë pa qenë nevoja emergjente. Ndërsa, sipas saj, ka pasur disa fatkeqësi natyrore në komuna dhe nuk janë ndarë mjete.

Safete Hadërgjonaj nga PDK-ja, ka inkurajuar ministrin e Financave për të kërkuar nga organizatat buxhetore që të planifikojnë shpenzimet.