Dëshmitari thotë se me njehsorët “Kohler” fatura i erdhi 700 euro më shtrenjtë

Dëshmitari thotë se me njehsorët “Kohler” fatura i erdhi 700 euro më shtrenjtë

Dëshmitari Hazir Shala, njëkohësisht edhe i dëmtuar në këtë çështje penale, ka deklaruar se pasi që atij i ishte vendosur njehsori elektrik “Kohler”, faturat e energjisë elektrike i kanë ardhur për rreth 700 euro më shtrenjtë.

Ai ka thënë se në fillim në restorantin e tij ka pasur një orë mekanike, me anë të së cilës faturat i kanë ardhur rreth 200 euro, kurse pas vendosjes së orës digjitale, ato kanë shkuar rreth shumës 900 euro.

Hazir Shala, së bashku me dëshmitarët e tjerë Feud Deda, Teuta Luboteni dhe Abedin Emini, kanë dhënë dëshmitë e tyre, të enjten në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në rastin e njohur si “Kohler”, ku për keqpërdorim të pozitës zyrtare, akuzohen Drita Hamiti, Vjollca Ajvazi dhe Avni Alidema.

Ai ka thënë se tani që është i pajisur me orën digjitale të “Iskra”, shpenzimet regjistrohen aq sa ai shpenzon.

Avokati mbrojtës i Avni Alidemës, Besnik Berisha, e ka ballafaquar dëshmitarin me fatura të rrymës sipas historikut të KEDS-it.

Berisha, i tha dëshmitarit se në shkurt të vitit 2014, fatura e shpenzimeve të rrymës elektrike e biznesit të tij ka qenë 3 euro e 69 cent, me ç’rast dëshmitari mohoi një gjë të tillë, duke thënë se nuk ka shanse.

Berisha, gjithashtu e ka pyetur dëshmitarin Shala se a është në dijeni se si rezultat i kësaj fature të njëjtit i është vendosur një njehsor tjetër i tipit “Kohler” dhe pas dërgimit të njehsorit mekanik për ekspertizë ka rezultuar se e ka vjedhur rrymën.

Dëshmitari Shala, ka mohuar këto deklarime të avokatit Berisha, duke thënë se ai nuk e ka vjedhur rrymën.

Berisha, e pyeti Shalën nëse është në dijeni se për të ka procedurë në gjykatë për vjedhje të rrymës, por dëshmitari gjithashtu mohoi një gjë të tillë.

Shala, tha se me kërkesë të tij është vendosur ora e tipit digjital prodhues “Iskra”.

Berisha, e ballafaqoi dëshmitarin me faturën e shpenzimeve të rrymës të muajit dhjetor të vitit 2015, që ka vlerën prej 809 euro dhe e pyeti se si ka mundësi që edhe ora e tipit “Iskra” po shpenzon njëjtë. Shala, tha se nuk ka shanse, nuk ka paguar faturë prej 809 eurosh, dhe deklaroi se në seancën e ardhshme do t’i sjell faturat në gjykatë.

Dëshmitari tjetër Feud Deda, deklaroi se kur ka pasur orë mekanike të vendosur pagesa mujore për rrymë nuk i ka ardhur asnjëherë mbi 30 ose 36 euro. Kurse, tha se nga periudha që është vendosur e ora e KEDS-it fatura ka ardhur 70,80,100, 120 euro.

Edhe ky dëshmitar është ballafaquar nga avokati Berisha, i cili ka thënë se nga faturat që ai posedon nga historiku i KEDS-it, rezulton se Deda ka rreth 6 fatura, të cilat edhe me orë mekanike, fatura e rrymës ka pasur vlerën e dyfishit të shumave që dëshmitari ka përmendur. Por, Deda, u përgjigj se kjo nuk mund të jetë e vërtetë.

Dëshmitari tjetër Abedin Emini, gjatë kësaj seance tha pasi i është vendosur ora nga punëtorët e KEDS-it, fatura i ka ardhur me vlerë shumë të lartë dhe pas 6 muajsh është ankuar dhe i është sjell një orë e njëjtë si ajo që e ka pasur dhe prapë ka pasur shpenzime të larta. Ndërsa, tha se pas pajisjes me orën digjitale “Iskra” një gjë e tillë më nuk ka ndodhur.

Emini, tha se me dy orët elektrike të para që i janë vendosur, fatura e shpenzimit të rrymës i ka ardhur rreth 142 euro, ndërsa tash shuma sillet nga 50 ose 60 euro.

Berisha, e ka ballafaquar Eminin, duke i thënë se në bazë të listës komplete të faturave të tij për vitin 2014, maksimumi që ka paguar ai për një muaj me njehsorin “Kohler” është 72 euro.

Emini, është përgjigjur duke thënë se një gjë e tillë nuk është e vërtetë.

Dëshminë e saj ka dhënë edhe Teuta Luboteni, e cila deri më 19 mars të vitit 2014 ka punuar si këshilltare për metrologji në kabinet të ministres në Ministri të Tregtisë dhe Industrisë, kurse më pas e njëjta ka punuar në Agjencinë e Metrologjisë së Kosovës.

Luboteni, ka thënë se rreth njehsorëve “Kohler” është konsultuar nga kolegët e saj për shkak të përvojës që e njëjta ka pasur. Luboteni, tha se ajo ka përvojë të gjatë me njehsorët elektromekanik, kurse kolegët e saj kanë punuar me njehsorë digjitalë.

Luboteni, tha se Kosova nuk ka një laborator i cili bën testimin e orëve, mirëpo me udhëzim administrativ janë testuar në laboratorin e metrologjisë dhe në laborator të prodhuesit.

Luboteni, tha se me Drita Hamitin dhe Vjollca Ajvazin është konsultuar për shtesën -1 të njehsorit AEL. TF.04 rreth asaj se pse është bërë plotësim-ndryshimi nëse nuk ndikon në sistemin matës.

Luboteni, tha se në këtë rast në bazë të dokumentacionit që ekziston shtesa -1  e njehsorit AEL. TF.04 nuk ka asnjë ndikim në sistemin matës. Sipas Lubotenit, nëse nuk ndikohet në sistemin matës, dokumentacioni i njehsorit bazë vlen edhe për dokumentacionin e njehsorit shtesë.

Avokati mbrojtës i Drita Hamitit, Granit Vokshi, ka pyetur Lubotenin se a ka punuar e njëjta në kohën kur janë zhvilluar testimet e kësaj mostre.

Luboteni, u përgjigj duke thënë se gjatë këtyre testimeve në laborator nuk ka qenë prezente, dhe nuk mund të jetë në dijeni se kush i ka kryer testimet.

Luboteni, gjithashtu ka deklaruar se Agjencia e Metrologjisë së Kosovës është i vetmi institucion që bën miratimin e njehsorëve dhe pezullimin e lejes për përdorim të një njehsori elektrik.

Kryetari i trupit gjykues, Shashivar Hoti, ka pyetur Lubotenin nëse si këshilltare e ministres ka qenë në dijeni për problemet e paraqitura në terren të orëve AEL. TF.04-1. Luboteni, tha se nuk i kujtohet saktë për cilin tip të orës, por ka pasur ankesa nga konsumatorët.

Seanca e ardhshme në këtë rast pritet të mbahet më 26 janar 2018, me fillim nga ora 9:00, ku do të vazhdohet me dëgjimin e dëshmitarëve.

Prokuroria Themelore në Prishtinë, më 6 tetor 2015, ka ngritur aktakuzë kundër Vjollca Ajvazit dhe Drita Hamitit, në cilësinë e zyrtareve të Agjencisë së Metrologjisë dhe Avni Alidemajt, në cilësinë e drejtorit ekzekutiv të rrjetit të KEDS-it, shkruan betim për drejtësi.

Prokuroria pretendon se gjatë intervalit kohor mars 2013 deri më 5 dhjetor 2014, të akuzuarit kanë keqpërdorur detyrën e tyre zyrtare, duke u mundësuar kompanive “Kohler” dhe “KEDS” të përfitojnë dobi pasurore dhe të njëjtën kohë t’iu shkaktojnë dëm material konsumatorëve kosovarë.

Sipas aktakuzës, dy zyrtaret Ajvazi dhe Hamiti, kanë shqyrtuar dokumentacionin për miratimin dhe lejimit e tipit të njehsorit elektrik digjital të prodhuesit ““Kohler””, të tipit digjital AEL. TF.04-1.

Pjesë e akuzës kishte qenë edhe Blerim Sokoli, ndaj të cilit ka pushuar procedura penale, pas i njëjti nuk jeton më. Sokoli akuzohej se në cilësinë e drejtorit në Agjencinë e Metrologjisë së Kosovës, në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, kishte pranuar ta licencojë në mënyrë të kundërligjshme njehsorin elektrik “Kohler”, të prodhuar në Turqi.