Dëshmitari: Vëllain tim e ka vrarë i akuzuari për shkak të 86 mijë eurove borxh që ia kishte viktimës

Dëshmitari: Vëllain tim e ka vrarë i akuzuari për shkak të 86 mijë eurove borxh që ia kishte viktimës

Dëshmitari Driton Zekaj, ka deklaruar se i akuzuari Kreshnik Haliti, e kishte vrarë vëllain e tij, Mentor Zekaj, për shkak të borxhit prej 86 mijë eurosh.Dëshmitari Zekaj, ka thënë se i akuzuari Haliti e ka kryer një vepër të tillë penale, për ta humbur borxhin që kishte ndaj vëllait të tij, tani të ndjerë.

Një deklarim të tillë, dëshmitari Driton Zekaj, e ka dhënë gjatë seancës së rigjykimit, e cila po zhvillohet në Gjykatën Themelore në Pejë, ndaj të akuzuarit Kreshnik Haliti.

Ai akuzohet se në mars të vitit 2017, për shkak të një mosmarrëveshje që kanë pasur në mes vete, lidhur me një borxh prej afro 77 mijë euro, me dashje dhe me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore e ka privuar nga jeta, tani të ndjerin Mentor Zekaj, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Në seancën e së premtes, dëshmitari Zekaj, ka thënë se vrasja e vëllait të tij lidhet me borxhin, që sipas tij, i akuzuari Haliti ia kishte tani të ndjerit.Ai ka shtuar se fakti se vrasja ishte bërë me motive të borxhit, ishte se vet i akuzuari Haliti, i kishte thënë “hajde merri paret”, dhe në fund sipas tij, e kishte vrarë.Lidhur më këto deklarime, mbrojtësi i të akuzuarit Haliti, avokati Besnik Berisha, ka kërkuar nga dëshmitari të dijë nëse kishte shkëmbyer ndonjë mesazh tani i ndjeri me të, ku kishte thënë se i kishte dhënë para borxh tani të akuzuarit Haliti.

“Jo personalisht nuk kam”, ka deklaruar dëshmitari Zekaj.Ndër të tjera, dëshmitari Zekaj, ka thënë se në dhjetor të vitit 2016, ia kishte dhënë tani vëllait të tij shumën prej 120 mijë euro për blerjen e një shtëpie në Pejë, prej të cilës shumë, dëshmitari ka shtuar se 86 mijë euro, Mentor Zekaj ia kishte dhënë hua të akuzuarit Haliti.

Ai ka deklaruar se fillimisht nuk kishte qenë në njohuri se sa ishte shuma të cilën vëllai i tij ia kishte dhënë borxh të akuzuarit, mirëpo pas llogaritjeve të parave të familjes, sipas tij, kishte ardhur në përfundim se ishin 86 mijë euro.Në pyetjen e mbrojtësit, avokatit Besnik Berisha, se si ishte e mundur që paratë i janë dhënë borxh të pandehurit Haliti një muaj më herët, sesa dëshmitari i kishte dërguar paratë në Kosovë nga Zvicra.

Lidhur me këtë, dëshmitari Zekaj është përgjigjur duke thënë se ishte e mundur që marrëveshja e huas ishte bërë më herët, kurse paratë janë dhënë borxh më vonë, ndërsa ka shtuar se familja e tij para kishte pasur edhe më herët të kursyera.Dëshmitari ka deklaruar se vëllai i tij kishte pasur raporte të mira shoqërore me të akuzuarin dhe asnjëherë nuk kishte pasur ndonjë mosmarrëveshje.

Ai ka thënë se në ditën kritike e kishte thirr tani i ndjeri Mentor Zekaj, ku i kishte thënë se i akuzuari do t’ia kthente borxhin.

“Unë kam biseduar para orës 12:00 dhe më ka thanë se Kreshniku ka me mi dhanë paret sot. Kur kam biseduar herën e dytë më ka thënë para orës 2:00, se Kreshnikut i ka thënë se ia kanë lejuar kreditin. Ai më ka thirr përsëri dhe më ka thënë se nuk kishte mujt mi pru dhe më kanë thënë ka ora 04:00. Mirëpo, thirrjet nuk kishte pasur mundësi t’i dorëzojë si provë për shkak i kanë humbur telefoni me dokumente”, ka thënë dëshmitari Zekaj.

Ai ka mohuar se vëllai i tij i kishte huazuar paratë tek persona të tretë.Avokati Besnik Berisha, ka kërkuar të dijë nga dëshmitari se pranë cilës deklaratë qëndron, pasi sipas tij, dëshmitari për faktet e njëjta kishte dhënë deklarime të ndryshime.

Dëshmitari Zekaj, ka thënë se mbetet pranë deklaratës që e ka dhënë gjatë kësaj seance.Seancat e radhës janë caktuar më 21 janar 2020, nga ora 13:00 dhe 29 janar 2020, nga ora 10:00.Ndryshe, Gjykata Themelore në Pejë, më 4 korrik të vitit 2018, e kishte gjetur fajtor të akuzuarin Kreshnik Haliti, ndaj të cilit kishte shqiptuar dënim unik prej 22 vjetësh e gjashtë muaj burgim, nën akuzat për vrasje të rëndë dhe armëmbajtje pa leje.

Mirëpo, Gjykata e Apelit kishte anuluar aktgjykimin e shkallës së parë, me arsyetimin se aktgjykimi ishte i përfshirë në shkelje të procedurës penale dhe vërtetimin jo të plotë të gjendjes faktike.Gjykata e Apelit ka konstatuar se dispozitivi i aktgjykimit të Gjykatës Themelore në Pejë, është i paqartë dhe i pakuptueshëm dhe si rrjedhojë, ekzistojnë kundërthënie me arsyet e paraqitura lidhur me faktet vendimtare.

“Gjykata nuk jep asnjë fakt vendimtar lidhur me atë se i akuzuari Kreshnik Haliti ishte përgatitur me parë për ta privuar nga jeta të ndjerin Mentor Zekaj.

Ekzistojnë kontradikta mes dispozitivit të aktgjykimit lidhur me përgatitjen paraprake të akuzuarit për të privuar nga jeta të ndjerin Mentor Zekaj, kjo për faktin se nga raportet e telefonisë “Vala” dhe “Ipko” del e kundërta me dëshminë e dëshmitares Mirjeta Zekaj, si prova materiale se i ndjeri i ka bërë telefonatat e fundit dhe gjykata lidhur me këtë fakt vendimtar e që është i rëndësishëm për cilësimin e veprës penale si kualifikuese nuk jep konkludime të qarta dhe të drejta se i pandehuri ishte i përgatitur më parë për ta privuar nga jeta të ndjerin”, theksohet në vendimin e Apelit.

Tutje, Gjykata e Apelit ka vlerësuar se sipas shkresave të lëndës dhe provave të nxjerra, rezulton se i akuzuari kishte marrë borxh nga i ndjeri shumën prej 2000 mijë euro, për të rregulluar marrëdhëniet pronësore lidhur me një truall, meqë një pjesë të shtëpisë e kishte ndërtuar në pronë shoqërore.

“Këto të holla, dy herë nga 400 euro i pandehuri ia kishte kthyer të ndjerit, ndërsa sipas deklaratës së bashkëshortes të ndjerit, Mirjeta Zekaj, rezulton se i ndjeri Mentor Zekaj ia kishte dhënë të akuzuarit shumën prej 85 mijë euro, ndërsa pas privimit nga jeta në letrën e shkruar rezulton të jetë një borxh prej 77 mijë euro, dhe gjykata nuk jep arsye bindëse dhe argumentuese se cili ishte borxhi i vërtetë, apo shuma e të hollave prej 77 mijë euro, ishin për blerjen e tokës së konfiskuar e cila nga AKP-ja, duhet të blihej nga i akuzuari bashkë me Florijan Kelmendin, meqë i akuzuari nuk kishte të gjitha të hollat e gatshme për të blertë këtë tokë”, thuhej në vendimin e Apelit.

Në fund, gjykata e Apelit ka udhëzuar gjykatën e shkallës së parë t’i nxjerrë të gjitha provat, të dëgjojë dëshmitarët se a ka ekzistuar borxhi për shkak të cilit është privuar nga jeta i ndjeri Mentor Zekaj nga i akuzuari Kreshnik Haliti, për shkak të dobisë pasurore dhe me kujdes të analizohen video incizimet.Kreshnik Haliti akuzohet se më 6 mars 2017, rreth orës 16:10, në rrugën “Myrvete Maksutaj”, në Pejë, me dashje dhe me qëllim të përfitimit të dobisë pasurore e ka privuar nga jeta viktimën, tani të ndjerin Mentor Zekaj.

Këto veprime, gjithmonë sipas aktakuzës, kanë ardhur për shkak të një mosmarrëveshje që kanë pasur ndërmjet vete tani i ndjeri Mentor Zekaj me të pandehurin Kreshnik Haliti, lidhur me një borxh prej afro 77 mijë euro.

Sipas aktakuzës, i pandehuri në ditën kritike i përgatitur për vrasjen, e thërret viktimën për të shkuar në qendër të Pejës, me ç’rast me makinën e tij viktima ka shkuar e ka marrë të pandehurin, ku në veturë kanë biseduar për borxhin, ashtu që sapo kanë arritur në vendin kritik, i pandehuri e godet dy herë me një revole të modelit “Pietro Beretta M-70”, e kalibrit 7.65x17mm.