Dështimi i policisë për të mbrojtur 11-vjeçarin nga abuzimi seksual që përfundoi me vdekje

Dështimi i policisë për të mbrojtur 11-vjeçarin nga abuzimi seksual që përfundoi me vdekje

Policia e Kosovës, kishte qenë e informuar që nga janari i këtij viti për abuzimin seksual që iu kishe bërë 11-vjeçarit K.Veseli nga Fushë Kosova. Por nuk ishte marr asnjë veprim derisa K.Veseli ishte gjetur i vdekur pas shtatë muajve, të raportimit të rastit.

K.Veseli, 11-vjeçari, dyshohet se ishte dhunuar tri herë nga Sefedin Osmani, një 20-vjeçar. Këtë e kishte bërë të ditur edhe nëna e 11-vjeçarit, Makfire Veseli.

Makfire Veseli, kishte thënë se policia ka qenë e informuar që nga janari për të dyshuarin Sefedin Osmani. Ajo po ashtu thotë se edhe familja e të dyshuarit ka qenë e informuar për abuzimin që iu kishte bërë djalit të saj.

“Djali më dilte nëpër kanta dhe më vinte e qante më tregonte për rastin. Po unë njëherë e lashë. Nuk e lajmërova hiç policinë.  Mandej e lashë, erdhën vetë policia, që u lajmërua djali në polici. Unë kam qenë të familja jem. Kanë ardh policia e Fushë Kosovës. Edhe më thanë ‘Makfire a e din që e kanë dhunua djalin. Thashë po, djali më ka kallxu”, kishte thënë Makfrija për Express.

Mirëpo abuzimi dhe dhuna ndaj K.Veselit kishte vazhduar deri të enjten e 11 korrikut, ku ishte gjetur i vdekur poshtë shkallëve të një kompleksi banesor në lagjen “Xhemail Mustafa”, në Fushë Kosovë.

Policia atë e kishte gjetë të vdekur rreth orës 17:30. Rastin për Gazetën Insajderi e kishte konfirmuar zëdhënësja e Policisë së Kosovës, për rajonin e Prishtinës, Flora Ahmeti.

‘Sot rreth orës 17:30 kemi pranuar informatën se ne afërsi te një ndërtese, ne rrugën Xhemajl Mustafa ne Fushe Kosove, ndodhet një person i shtrirë. Menjëherë në vendin e ngjarjes kanë dalë policia dhe ekipi mjekësor , i cili ka konstatuar vdekjen e viktimës mashkull (i mitur)” ka thënë Ahmeti.

Nga Prokuroria Themelore e Prishtinës, kanë thënë për Gazetën Insajderi se janë duke pritur raportin e autopsisë për të vepruar tutje me rastin.

“Ende nuk është ardh raporti i autopsisë dhe nuk kemi dal ende me ndonjë komunikatë po e presim raportin. Përveç që kemi informatat se viktima është gjetur pa shenja jete, ka pas shenja të dhunës në trup. Mirëpo jemi duke i pritur raportin dhe të shohim sesi kanë ardh deri tek ato shenjat në trup”, ka thënë Laureta Ulaj zyrtare për marrëdhënie me publikun për Insajderin.

Por raportohet se raporti i autopsisë i bërë në trupin e 11-vjeçarit ka vërtetuar se viktima është dhunuar seksualisht tri herë nga i njëjti person. Sipas obduksionit plaga e dhunimit ishte e freskët në trupin e 11-vjeçarit. Kështu kanë bërë me dije burime të Express, brenda Institutit të Mjekësisë Ligjore.

“Plaga e dhunimit ishte e freskët. Viktima sipas analizës ishte dhunuar 3 herë. Ai fillimisht ishte rrahur e pastaj dhunuar. Ka dëmtime të rënda në kokë”, kanë bërë me dije mjekët ligjor të IML-së.

Ndërsa sot Policia e Kosovës ka njoftuar se ka arrestuar 20-vjeçarin, Sefedin Osmani i dyshuar për abuzimin që i kishte bërë të miturit, 11-vjeçar K.Veseli nga Fushë Kosova, i cili ishte gjetur i vdekur.

“20 vjeçari me inicialet S.O., me urdhër të prokurorit kompetent është intervistuar në prezencë të avokatit mbrojtës dhe pas intervistimit është dërguar në mbajtje për procedura të mëtejme ligjore”, thuhet në komunikaten e policisë.

Policia ka bërë të ditur se “Rasti i raportuar me datën 11.07.2019 fillimisht është cilësuar si “vdekje e dyshimtë” ndërsa pas veprimeve hetimore dhe operacionale dhe me urdhër të prokurorit të shtetit ky rast është rikualifikuar si vepër penale “vrasje e rëndë”. /Insajderi.com