Dështimin për liberalizim të vizave ministrja nga PDK mundohet ta arsyetojë me dorëheqje të qeverisë

Dështimin për liberalizim të vizave ministrja nga PDK mundohet ta arsyetojë me dorëheqje të qeverisë

Dhurata Hoxha, ministrja e Integrimeve Evropiane ka ndryshuar qëndrim lidhur me dështimin e liberalizimit të vizave për kosovarët. Nga gjendja skeptike e saj dhe ‘sulmet’ ndaj BE-së për mos liberalizim, ka gjetur fajtor të ri, shkruan Insajderi.

Ministrja që vije nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), tash po pretendon se liberalizimi i vizave mund të shtyhet për shkak të zgjedhjeve të jashtëzakonshme në vend, pas dorëheqjes së Ramush Haradinajt nga posti i kryeministrit.

“Ndërrimet në qeverisje nuk i bëjnë mirë procesit integrues, pavarësisht se detyrat, punët dhe funksionet janë të institucioneve ekzekutive dhe të stafit civil. Nuk ma merr mendja se do të shkaktohet dëm, megjithatë procesi zgjedhor në rrafshin ndërkombëtar shkakton ngecje. Proceset me interes për vendin të konfirmuara me konsensualitet në rrafshin ndërkombëtar janë më të rëndësishme se proceset e brendshme politike”, ka deklaruar ajo gjatë ditës së sotme.

Në fakt ky është qëndrimi i ri i Dhurata Hoxhës, për dështimin e liberalizimit të vizave. Ministrja më herët kishte qenë shumë skeptike. Kishte qenë në dijeni se liberalizimi i vizave nuk dihet se kur do të ndodhë.

Ne mesin e këtij muaji në një intervistë për REL, ishte pyetur për urimet që Ramush Haradinaj nga posti i kryeministrit po i bën për liberalizim të vizave. Ministrja Hoxha ishte deklaruar skeptike për liberalizim të vizave për një periudhë të afërt kohore.

Dhurata Hoxha: Nëse shkojmë në zgjedhje shtyhet liberalizimi i vizave

“T’ju them të drejtën, unë dua të jem pak më e rezervuar në këtë, për shkak se ne i kemi plotësuar kriteret, pra tani është bërë një vit prej konfirmimit nga Komisioni që janë përfunduar kriteret, por në anën tjetër çka po ndodh, ne po shohim se ky konsensus në Këshillin e Ministrave ende nuk ka lëvizur asgjë. Pra, për mos t’u bërë edhe shumë pesimiste e gjitha varet nga vendet anëtare të BE-së”, kishte deklaruar ministrja Hoxha.

Në këtë intervistë, Hoxha kishte përmendur disa sfida të Kosovës për liberalizim.

“Nuk është se nuk e kemi të njëjtin mendim sikur kryeministri sepse edhe kryeministri është optimist se kjo çështje do të ecë përpara, por në anën tjetër ne të gjithë e dimë se ka disa sfida edhe në kuadër të Bashkimit Evropian”, kishte thënë ministrja.

Në një situatë aspak favorizuese, ministrja Hoxha ishte gjendur edhe pas emërimit të ministrit të Jashtëm të Spanjës, Josep Borell Fontellas si zëvendësues i Federica Mogherinit, shtet ky që nuk e ka njohur ende Pavarësinë e Kosovës.

Kishte thënë se nuk mund t’i pëlqejnë Kosovës të gjitha emërimet nga BE-ja, por që Kosova duhet t’i pranojë si të tilla.

“Propozimet për emërimet e reja në institucionet e BE-së, jo çdo herë kanë pëlqyeshmërinë e dëshirueshme për neve. Por, parimet dhe mekanizmat që e mirëmbajnë, zhvillojnë dhe çojnë përpara BE-në, nuk varen nga origjina politike apo nacionale. Prandaj, nuk e konsideroj se një emërim i tillë do të shkaktojë probleme për procesin tonë të integrimit dhe liberalizimit të vizave”, kishte deklaruar ministrja Hoxha.

Ministrja e Integrimeve Evropiane kishte qenë e ashpër edhe me Bashkimin  Evropian në deklaratat e saj. Kishte thënë se Kosovës po i bëhet e padrejtë për shkak se kriteri për luftimin e krimit dhe korrupsionit nuk është një çështje që mund të përfundojë në një pikë.

“E them preras, askund në udhërrëfyes nuk ka pikë ose kapitull të papërmbushur. Fenomenet që janë procese nuk kanë data, siç është sundimi i ligjit ose luftimi i krimit dhe i korrupsionit, ato janë procese dhe kurrë të përfunduara. Këto dukuri negative janë sfidë për mbarë botën, ndërsa të ketë mospranim të të arriturave vetëm për vendin tonë është e padrejtë. Kur e them këtë kam parasysh për disa vende që kanë liberalizim e që për fenomenet të cilat neve na ngarkohen në ato vende as që kanë trajtim ose shifra të matshme”, kishte thënë ministrja Hoxha.

Premtimet për liberalizim të vizave kishin filluar që nga viti 2012. I pari kishte qenë Hashim Thaçi nga posti i kryeministrit që kishte bërë një urim të tillë. Urimet janë duke vazhduar edhe sot, megjithë se kosovarët vazhdojnë të mbesin të izoluar duke mos pasur të drejtë udhëtimi në shtetet e BE-së pa vizë.

Po ashtu Javën e kaluar edhe dy ministra nga PDK u deklaruan kundër zgjedhjeve të Jashtëzakonshme. Ministri i Drejtësisë, Abelard Tahiri dhe ministri i Financave, Bedri Hamza u deklaruan kundër zgjedhjeve të jashtëzakonshme me arsyetimin se Kosova nuk ka buxhet për të shkuar në zgjedhje.

Ministri Hamza edhe gjatë seancave të Kuvendit të Kosovës kishte deklaruar se Kosova nuk ka buxhet për zgjedhje të reja./Insajderi.com