Dështoi t’i liberalizojë vizat, po nuk “dështoi” në shpenzimet e shtetit

Dështoi t’i liberalizojë vizat, po nuk “dështoi” në shpenzimet e shtetit

Fiks 28 mijë e 486 euro i ka shpenzuar ministrja e Integrimeve Evropiane, Dhurata Hoxha për akomodim në hotele si dhe për dreka e darka zyrtare gjatë mandatit të saj afër dy vjeçar si ministre në Qeverinë Haradinaj.

Gazeta Sinjali ka kërkuar qasje në dokumente zyrtare lidhur me shpenzimet e ministres Dhurata Hoxha, zv/ministrit Lirak Çelaj, si dhe pjesës tjetër të kabinetit të ministres Hoxha.

Nga shpenzimet e ministres Hoxha vërehen se për akomodim në hotele si dhe dreka e darka janë shpenzuar më shumë se 28 mijë euro. Që nga shtatori i vitit 2017 deri në dhjetor të atij viti, janë shpenzuar afër 1 mijë e 600 euro.

Në vitin 2018 për këtë kategori nga ministrja Dhurata Hoxha janë shpenzuar 14 mijë e 400 euro, ndërsa në tetë muajt e parë të këtij viti i ka shpenzuar 12 mijë e 500 euro.

Në anën tjetër ministrja Hoxha, ka shpenzuar afër 20 mijë euro për bileta të udhëtimeve jashtë vendit. Gjatë vitit 2017, ajo ka shpenzuar 50 euro në këtë kategori, ndërsa në vitin 2018 ka shpenzuar afër 19 mijë euro.

Në vitin 2019 ajo ka shpenzuar afër 600 euro për këtë kategori të shpenzimeve të biletave për udhëtime.

Ministrja Hoxha, përveç pagës mujore bazë, për tri vite si ministre ka përfituar 12 mijë e 700 euro nga mëditjet. Në vitin 2017, ajo nga mëditjet ka fituar mbi 2 mijë e 700 euro, në vitin 2018 mbi 7 mijë euro, si dhe në vitin 2019, rreth 3 mijë euro.

Deputetja e ardhshme e PDK-së vetëm për thirrje telefonike ka shpenzuar 3 mijë e 300 euro, ndërsa për pajisje teknologjike ajo nuk ka shpenzuar asnjë cent.

Në anën tjetër zëvendësministri i vetëm në këtë Ministri, Lirak Çelaj, ka përfituar mbi 3 mijë e 700 euro, ndërsa për nga shpenzimet duket se Çelaj ka qenë mjaft aktiv edhe me udhëtime zyrtare.

Nga udhëtimet zyrtare ai ka shpenzuar nga buxheti i shtetit të Kosovës rreth 5 mijë euro, ndërsa për thirrje telefonike ka shpenzuar mbi 1 mijë euro.

Ministria e Integrimeve Evropiane, për shpenzimet e kabinetit të ministres Hoxha, nuk i ka pasqyruar të ndara sikurse Gazeta Sinjali ka raportuar me për shpenzimet e ministrive të tjera.

Kabineti i ministres Hoxha, ka përfituar vetëm nga mëditjet afër 37 mijë e 500 euro. Ka shpenzuar afër 79 mijë euro për bileta të udhëtimit si dhe janë shpenzuar afër 14 mijë euro për thirrje telefonike.