Përgjatë pesë ditëve të grevës së punëtorëve administrativ të gjykatave dhe prokurorive, ka dështuar një numër i madh i seancave gjyqësore. Insajderi ka kontaktuar me secilën prej gjykatave, të cilat kanë njoftuar se numri i seancave që kanë dështuar vetëm brenda një dite sillet në rreth 100 të tilla.

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, vetëm sot kanë dështuar të mbahen gjithsej 147 seanca gjyqësore.
Arsyeje për anulimin e tyre ka qenë greva e personelit administrativ të gjykatave dhe prokurorive, të cilët po kërkojnë rritje të pagave prej 100%, pas vendimit të kryeministrit për rritjen e pagave të gjyqtarëve dhe prokurorëve, shkruan Insajderi.
Greva ka filluar që nga e mërkura e javës së kaluar.
Zëdhënësja e Gjykatës Themelore në Prishtinë, Mirlinda Gashi tha se sipas të dhënave të Këshillit Grevist, vetëm sot do të duhej të mbahen 147 seanca të cilat janë anuluar.
“Që nga e mërkura deri dje janë anuluar rreth 100 seanca gjyqësore në ditë”, tha Gashi për Insajderin.
Në mesin e seancave të anuluara ka pasur edhe raste të mëdha të korrupsionit.
Vetëm në Gjykatën Themelore të Prishtinës, janë anuluar tri raste. Rasti i parë ndaj ish-ushtruesit të detyrës së drejtorit të Pallatit të Rinisë në Prishtinë, Bajram Uka, i cili po akuzohet për keqpërdorim të pozitës apo autoritetit zyrtar.
Rasti i dytë nëntë të akuzuarve për krim të organizuar. Të akuzuarit dyshohen se cigaret në vlerë prej 2.931.929.08 euro nuk i kishin dorëzuar në KFOR, por u kishin shitur kompanive të tjera pa banderolë, duke i shkaktuar evazion fiskal buxhetit të Kosovës, në shumë prej 2,441,927,71 euro.
Ndërkaq rasti i tretë i korrupsionit ka dështuar të mbahet është rasti ndaj drejtorit të Departamentit Ligjor dhe të Licencimit të Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave, Abdylkadër Muçaj.
Afër 500 seanca të dështuara nëpër komunat tjera
Llogaritur në përgjigjet që kanë kthyer gjykatat në Ferizaj, Gjilan dhe Pejë që nga fillimi i grevës janë afër 500 seanca që kanë dështuar.
Në Gjykatën Themelore në Ferizajt, sipas zëdhënëses Albënora Bekteshi, vetëm gjatë ditës së sotme kanë qenë të planifikuara të mbahen 40 seanca. Asnjëra prej tyre nuk është mbajtur.
“Ju njoftoj se nga dita e hyrjes në greve deri më sot kanë qenë të caktuara mbi 150 seanca gjyqësore, të cilat si pasoj e grevës nuk janë mbajtur, ndërsa vetëm sot kanë qenë të planifikuara mbi 40 seanca gjyqësore”, tha Bekteshi për Insajderin.
Afër 200 seanca janë anuluar që nga e mërkura e kaluar në Gjykatën Themelore të Gjilanit dhe degëve tjera në Kamenicë, Viti dhe Novobërd.
Sipas të dhënave të Këshillit Grevist të Gjykatës në Gjilan, përcjellë nga zëdhënësi Sabit Shkodra vetëm gjatë ditës së sotme janë shtyrë 24 seanca.
“Deri më tash në Gjykatën Themelore të Gjilanit janë shtyrë 165 seanca gjyqësore, duke i llogarit edhe Degët e Gjykatës Themelore në Kamenicë, Viti dhe Novobërdë, mund të them se numri i seancave të shtyra është rreth 200 seanca”, tha Shkodra për Insajderin.
Një numër pak më i vogël i seancave nuk janë mbajtur as në Gjykatën e Pejës. Zëdhënësja e kësaj gjykatë, Selvane Bukleta tha se numri i tyre është afër 90.
“Ju njoftojmë se nga dt. 04.07.2018 kur ka filluar greva e punëtorëve të Administratës, në Gjykatën Themelore selia në Pejë deri me dt. 10.07.2018 janë shtyrë 88 seanca gjyqësore”, tha Bukleta.
E vetmja gjykatë ku nuk kanë dështuar seancat është Supremja, shkruan Insajderi.
Zëdhënësja Antigona Uka, tha për Insajderin se sot nuk ka pasur asnjë seancë.
“Në Gjykatë Supreme, gjyqtarët punojnë në kolegje, ndërkaq, për sot, nuk ka pasur të caktuar asnjë kolegj. Prej se administrata e gjykatës është në grevë, janë kryer rastet e paraburgimeve. Gjyqtarët janë në punë, ndërkaq administrata është në greve”, tha Uka.
Ndërkaq Këshilli Gjyqësor i Kosovës ende nuk e kanë numrin e përgjithshëm të të gjitha seancave që nuk janë mbajtur për gjatë pesë ditëve të grevës.
Grevistët përveç rritjes së pagave 100% për rreth 2 mijë punëtorët e administratës kanë kërkuar edhe rregullimin e statusit të tyre. /Insajderi.com