Detaje nga Prokuroria për pronarin e “Charlie Fashion” që u gjend i vdekur në banesë

Detaje nga Prokuroria për pronarin e “Charlie Fashion” që u gjend i vdekur në banesë

Ende nuk dihet se si ka ardhur deri tek vdekja e Fehmi Gashit, pronar i butikut “Charlie – Fashion”. Nga Prokuroria Themelore e Prishtinës kanë thënë për Gazetën Insajderi se prokurorja e rastit, ka lëshuar një urdhëresë për obduksion.

Laureta Ulaj, Zyrtare për Media në Prokurorin e Prishtinës, ka thënë se deri më tani nuk është evidentuar asgjë dhe se janë duke e pritur raportin e rastit.

“Në momentin që është lajmëruar prokurorja kujdestare dhe përveç që e kanë konstatuar vdekjen e tij, mandej e ka lëshuar një urdhëresë për me bo obduksionin edhe tash pritet për me kuptu se qysh ka ndodh ajo vdekje. Më shumë nuk është evidentuar asgjë derisa të dalin raportet e këtij rasti”, ka thënë Ulaj për Insajderin.

Sot rreth orës 10:50, trupi i Fehmi Gashit është gjetur i vdekur në banesën e tij në lagjen “Dardania” në Prishtinë.

Vdekjen e tij e ka konfirmuar për Gazetën Insajderi, zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Bajram Krasniqi.

“Më datë 23.07.2019 rreth orës 10:50h, Prishtinë (L.Dardania) në banesën e tij nga familjarët është gjetur i vdekur personi F.G.,1977. Vdekjen e viktimës e ka konstatuar njësia e Urgjencës Prishtinë. Në vendin e ngjarjes kanë dalë njësitë e nevojshme policore”, ka thënë Krasniqi për Insajderin. /Insajderi.com