Detaje nga vrasja e 33 vjeçarit në Vushtrri

Detaje nga vrasja e 33 vjeçarit në Vushtrri

33-vjeçari Kujtim Meholli nga fshati Akrashticë e Vushtrrisë u gjet i vdekur afër lumit Sitnica ditën e hënë. Familjarët e tij, që kanë hapur dyert për ngushëllime, nuk kanë pranuar të japin asnjë detaj lidhur me vrasjen e të birit.

Për këtë rast nuk kanë folur as banorë të tjerë të fshatit, meqë ende nuk dinë asgjë, raporton KTV.

Policia e Kosovës deri tash ka arrestuar 3 persona të dyshuar se mund të kenë lidhje me rastin e cilësuar si “vrasje e rëndë”.

“Përveç arrestimit, hetuesit policorë kanë realizuar edhe kontroll në shtëpinë e të dyshuarve, me ç’rast janë gjetur prova materiale që ndërlidhen me veprën penale”, ka njoftuar Policia nëpërmjet një komunikate për media. As policia nuk i ka qartësuar motivet e kësaj vrasjeje.

Të arrestuarve, që dyshohet se kanë privuar nga jeta 31-vjeçarin, u është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh.

Familjarët e të ndjerit, që ishte punëtor në “Trepçë”, fillimisht e kishin njoftuar policinë se i ndjeri Kujtim Meholli ishte zhdukur. Sipas burimeve nga familja, atë e kishte thirrur dikush në telefon pas mesnatës dhe kishte dalë për ta takuar atë person në fshat.

Ndërkaq, rreth orës 7 të mëngjesit ishin vetë familjarët që e kishin gjetur trupin e pajetë buzë lumit Sitnica, afër fabrikës së Llamarinës.

Varrimi i të ndjerit u bë sot në ora 18 në varrezat e fshatit.