Detaje të aksidentit në autostradën “Ibrahim Rugova” ku vdiq 18 vjeçarja

Një vajzë e moshës 18 vjeçare nga Kumanova ka humbur jetën si pasojë e një aksidenti që ka ndodhur mëngjesin e sotëm në autostradën “Ibrahim Rugova” ndërsa tre të tjerë, janë lënduar.

Rastin e ka konfirmuar për Insajderin, zëdhënësi i Policisë së Kosovës, Daut Hoxhaj.

“Bazuar në informacionet e para është raportuar për një aksident të rëndë trafiku me pasoja fatale, të shkaktuar sot rreth orës 10:00 paradite në autostradën “Ibrahim Rugova” ku një person ka humbur jetën dhe 4 tjerë kanë marrë lendime trupore”, ka thënë Hoxhaj.

Ai shtoi se autostrada është bllokuar për qarkullim dhe policia po vazhdon me hetimet.

“Njësitet kompetente policore për menagjimin e trafikut në autostrada janë duke u marr me rastin dhe duke hetuar shkaqet dhe rrethanat se si ka ardhe deri te ky aksident tragjik. Rreth ores 10:30 autostrada drejtimi Duhel-Suhareke është bllokuar per qarkullim”, ka thënë Hoxhaj.

E Afrim Jahaja, Drejtor kujdestar në spitalin e Prizrenit ka thëën se gjendja shëndetësore e të lënduarve është jashtë rrezikur për jetë ndërsa e ka konfirmuar vdekjen e 18 vjeçares.

“Viktima vajzë e moshës rreth 18-vjeçare ka vdekur në vendin e ngjarjes. Tre persona janë të shtrirë në spital, një grua dhe dy djem, Njëri prej të lënduarve i është nënshtruar një operacioni ortopedik, ndërkaq dy të tjerë janë duke u trajtuar në qendrën emergjente të spitalit të Prizrenit”, ka thënë për Express Jahaj.