Detajet që Bashkësia Islame kurrë nuk i sqaroi: Misteri i zgjedhjes së projektit për Xhaminë e Madhe

Solemnisht Xhamia e Madhe në Prishtinë, nisi të ndërtohej me 8 tetor 2012. Zyrtarisht ndërtimi i saj ende nuk ka nisur. Por krejt kjo është bërë për shkak të vet Bashkësisë Islame të Kosovës. Një proces i tejzgjatur dhe aspak transparent e ka sjellë situatën deri në pikën ku gjithçka mund të kthehet në pikën zero. Ja pse.

Detajet që Bashkësia Islame kurrë nuk i sqaroi: Misteri i zgjedhjes së projektit për Xhaminë e Madhe

Teksa debati për ndërtimin e Xhamisë së Madhe në Prishtinë u rindez sërish nga vet Bashkësia Islame e cila shfrytëzoi një takim me Shpend Ahmetin dhe Albin Kurtin në cilësinë e drejtuesve të Vetëvendosjes, për të treguar se “ndërtimi i Xhamisë do të filloj shumë shpejt”, duke lënë të nënkuptohet se “leja nga Komuna” ishte një çështje e mbyllur, është BIK-u ai që përmes një procesi aspak korrekt të përzgjedhjes së projektit fitues, ka krijuar një mister: Si saktësisht u zgjodh projekti në fjalë?

Ja një kronologji përmes datave dhe disa pikëpyetje që BIK kurrë nuk i sqaroi:

23 shkurt 2012: Asambleja Komunale e Prishtinës miraton vendimin për dhënien e lokacionit për ndërtimin e Xhamisë së Re në Prishtinë.

8 tetor 2012: Bashkësia Islame e Kosovës vë gurëthemelin për ndërtimin e Xhamisë së Madhe në Prishtinë. Komuna i kishte ndarë 81 ari tokë në lagjen “Ulpiana”, afër Postës së Madhe.

Kësisoj BIK-u solemnisht e nisi ndërtimin e Xhamisë së Madhe pa e ditur sesi do të dukej ajo. Madje në atë kohë, BIK-u nuk ishte as afër nisjes së procedurave për konkursin që do të përzgjidhte projektin fitues.

10 dhjetor 2012: Gati një vit pasi e vuri gurë-themelin, Bashkësia Islame e Kosovës hap konkursin ndërkombëtarë për projektin e Xhamisë së Madhe në Prishtinë.

13 shkurt 2013: Mbyllet konkursi, aplikojnë 110 projekte por kriteret e BIK-ut i plotësojnë vetëm 81 projekte. Gjithashtu BIK-u detyrohet që të heq kriterin ku kishte kërkuar edhe disa objekte përcjellëse si lokale, garazhe dhe banesë prej 120 metrash katrorë për imamin.

Por BIK-u kurrë nuk e sqaruar faktin se si është bërë rimodelimi i hapësirë së Xhamisë dhe nuk ka paraqitur asnjë fakt në publik nëse projekti ka pësuar ndryshime, përkundër faktit se debati për këtë çështje është hapur disa herë gjatë viteve.

25 mars 2013: BIK-u ekspozon të gjitha projekt-propozimet nga 81 zyra arkitektësh nga tridhjetë vende të botës. Ekspozita e hapur në Hotel Grand qëndroi e hapur deri më 31 mars, ndërkohë që krijoi edhe mundësinë që publiku të jepte votën e tij. Imami Ternava kishte premtuar në hapje të ekspozitës se këto vota do të mirreshin parasysh.

Por Bashkësia Islame kurrë nuk e ka treguar ose publikuar se si ka qenë vota e publikut.

15 prill 2013: BIK-u publikon në faqen e vet zyrtare njoftimin e jurisë e cila nuk kishte arritur të zgjidhte vendin e parë. Në vend të kësaj juria kishte vlerësuar dy projekte për vendin e dytë dhe një për vendin e tretë.

Juria e përbërë nga 3 arkitektë të huaj – boshnjaku Amir Pashiq, turku Ibrahim Numan dhe italiani Atillio Petruqolli – dy arkitektë kosovarë, Muhamet Morina dhe Jusuf Xhepa, si dhe dy përfaqësues të bashkësisë islame Sabri Bajgora e Naim Terrnava, vendosi se asnjë nga projektet nuk e kishte merituar vendin e parë. Shpërblimi për vendin e parë ishte 25 mijë euro, për të dytin 15,000 kurse vendi i tretë 10,000 euro.

Projekti që kishte fituar vendin e tretë.

 

BIK-u kurrë nuk e ka sqaruar saktësisht arsyen e jurisë se përse nuk ka vend të parë për asnjë nga projektet. Në njoftimin e Bashkësisë Islame ishte thënë se do të ftohen dy autorët e projekteve “21PR22” dhe “1025AC” të pranojnë sugjerimet e jurisë dhe ata do të luten nëse bien dakord që të përmirësojnë propozimet e projekteve të tyre brenda një  periudhe një mujore. Më  15 maj parashihej të  shpallej fituesi. Kjo nuk u arrit.

Në fakt qysh prej kësaj kohe, fillon edhe misteri më i madh i krejt këtij projekti.

Si u zgjodh fituesi nga dy projektet?

BIK-u kurrë nuk i ka treguar as publikuar emrat e dy kompanive që ishin në garën finale e cila nuk ishte e parashikuar të zhvillohej mes dy kompanive. Kishte publikuar vetëm shifrat e tyre të pjesëmarrjes në konkurs.

BIK nuk e kishte publikuar as emrin e kompanisë fituese. Dihet se është kompani turke. Nga Turqia vijnë edhe paratë për ndërtimin e Xhamisë, saktësisht nga Bashkësia Islame e Turqisë. Nuk është sqaruar as nëse çmimi prej 25 mijë eurove për vendin e parë i ishte dhënë kompanisë fituese e ai vendit të dytë ishte marrë nga kompania tjetër.

BIK-u gjithashtu kurrë nuk ka treguar saktësisht se çka kishte kërkuar shtesë nga dy kompanitë, dhe cilat kishin qenë kriteret mbi të cilin ishte zgjedhur projekti fitues.

Madje nëse hyn në faqen zyrtare të BIK-ut në internet nuk gjendet asnjë njoftim zyrtar për Konkursin e as për shpalljen e fituesit.

Aty nuk ka asnjë vendim të jurisë e cila ka vendosur për këtë projekt, as se cilat kanë qenë përparësitë e këtij projekti.

Kësisoj historia e ndërtimit të Xhamisë së Madhe ka zgjatur 6 vite dhe ende vazhdon të zgjasë.

Dhe tash kur po diskutohet leja e ndërtimit, BIK-u do të jetë i detyruar që të jap shpjegime para Kuvendit Komunal të Prishtinës. Atëherë edhe mund të zbardhet i gjithë procesi deri në përzgjedhjen e projektit fitues./Insajderi.com