fbpx

Dhjetë bibliotekat më mbresëlënëse në botë

Dhjetë bibliotekat më mbresëlënëse në botë

Edhe nëse nuk i përkushtoheni shumë librit dhe leximit, nuk mund ta mohoni madhështinë e këtyre 10 bibliotekave. Po ju sjellim më poshtë, përzgjedhjen e bërë nga Google Art.

BIBLIOTEKA “GEORGE PEABODY”, BALTIMOR, SHBA

Biblioteka me pesë nivele konsiderohet aq e bukur sa që nganjëherë edhe martesat mbahen brenda atriumit neo-grek. Gjithçka aty është financuar nga një djalë i mirë i quajtur George Peabody.

BIBLIOTEKA E BIRMINGAMIT, ANGLI

Eksterieri u kompletua në vitin 2013, me 5,357 unaza të mbivendosura, si nderim për lagjen e bizhuterisë në qytet. Ajo u hap zyrtarisht nga aktivistja Malala Yousafzai.

BIBLIOTEKA “CLEMENTINUM”, PRAGË, ÇEKI

Ndërtesa e stilit barok u ndërtua nga jezuitët më 1622. Legjenda thotë se ndërtimi nisi me një libër, ndërsa përfundoi me 20 mijë.

“DHOMA MBRETËRORE PORTUGEZE E LEXIMIT”, RIO, BRAZIL

Me koleksionin më të madh të librave portugezë jashtë Portugalisë, biblioteka është themeluar nga 43 emigrantë politikë për të promovuar kulturën kombëtare në Brazil.

BIBLIOTEKA PUBLIKE, NJU-JORK, SHBA

Kjo është biblioteka më e njohur nga filmat, si nga “Day After Tomorrow” (2004) apo “Sex and the City” (2008).

BIBLIOTEKA E VJETËR E KOLEGJIT TË TRINISË, DUBLIN, IRLANDË

Është 61 metra e gjatë, e dekoruar me tavane të harkuar dhe buste mermeri të autorëve të famshëm. Vëllimi më i famshëm aty është “Libri i Kellsëve” – dorëshkrim në latinisht që përmban katër ungjijtë e Dhiatës së Re.

LIBRARIA E QYTETIT, SHTUTGART, GJERMANI

Gjithçka duket si piramidë e përmbysur. Panelet e kulmit emitojnë dritë të kaltër edhe natën, ndërsa një pjesë e koleksionit është e qasshme për 24 orë – në atë që quhet “Libraria e të pagjumëve”.

BIBLIOTEKA “ALEXANDRINA”, ALEKSANDRIA, EGJIPT

Dhomat e leximit priren kah deti si orë diellore. Muret e granitit janë të dekoruara me shkronjat e qindra gjuhëve.

BIBLIOTEKA “MARCIANA”, VENECIE, ITALI

Ndërtesa e kohës së Renesancës ka një nga koleksionet më të mëdha në botë të teksteve klasike. Pos 750 mijë librave, brenda mund të shihni edhe veprat e Titianit dhe Tintorettos.

BIBLIOTEKA PUBLIKE, TAIPEI, TAJVAN

Biblioteka me materiale ekologjike e pastron ujin, punon me panele diellore dhe ventilim natyral. Brenda janë mbi 20 mijë libra në gjuhën angleze dhe kineze. /Telegrafi/