Dhjetë vjet akuza kundër një biznesi – historia e gjykimit të kontratës së Z-Mobile

Për dhjetë vjet të operimit në treg, operatori Z-Mobile i është nënshtruar një hetimi dhe gjykimi penal. Gjykata, nuk kishte gjetur prova se kontrata ishte e dëmshme për PTK-në. “Ka qenë një ndër vendimet më të lehta që ne si trup gjykues e kemi arsyetuar, pasi që nuk ka pasur prova që e dëshmonin fajësinë”, kishte thënë kryetari i trupit gjykues, Viktor Hygo Pardal.  Ndërkohë, politika po provon që këtë kontratë ta hetojë sërish, ani se rasti tashmë është i gjykuar me aktgjykim të formës së prerë.

Dhjetë vjet akuza kundër një biznesi – historia e gjykimit të kontratës së Z-Mobile

Politika po provon të gjejë prova inkriminuese në një kontratë që drejtësia e ka gjykuar. Madje në dy shkallë.
Kontrata në mes të PTK-së dhe “Dardafonit”, i është nënshtruar një procesi të gjatë hetimor dhe gjyqësor nga prokurorë dhe gjyqtarë të EULEX-it. Asnjë dëshmi inkriminuese nuk kanë gjetur gjyqtarët për të konstatuar se kontrata ishte e dëmshme për PTK-në.

Kësisoj, vëllezërit Blerim dhe Shkelqim Devolli, Ismet Bojku, kryeshefi ekzekutiv i PTK-së Shyqyri Haxha dhe kryesuesi i bordit të drejtorëve të PTK-së Rexhë Gjonbalaj, ishin shpallur të pafajshëm në mungesë provash për veprat që rëndonin mbi ta.

Megjithatë, Kuvendi i Kosovës nëpërmjet një komisioni hetimor po synon që ta hetojë këtë kontratë dhe kontratat tjera, për të nxjerrë prova se ato kanë e çuar PTK-në drejtë falimentimit.

Kontrata e nënshkruar nga PTK dhe “Dardafon” parashihte ndarje të profitit. 27 për qind të fitimit të kompanisë virtuale “Z-Mobile”, shkonte për PTK-në. Kontrata parashihte që të gjitha shërbimet që kishte Vala, t’ia ofronte edhe kompanisë virtuale, “Z-Mobile”.

Por, pas hyrjes së shërbimeve të internetit 3G dhe 4G në tregun e Kosovës, menaxhmenti i PTK-së, kishte refuzuar që t’ia ofronte këto shërbime “Z-Mobile”. Kompania, ishte detyruar që t’i drejtohej Gjykatës së Arbitrazhit, ku e kishte fituar rastin.

Me aktgjykim të formës së prerë, PTK është e obliguar që t’ia kompensojë dëmin prej 30 milionë eurosh “Z-Mobile”, për dëmin e shkaktuar gjatë periudhës që nuk ia kishte ofruar shërbimet.

Prokuroria e Shtetit vitin e kaluar ka ngritur aktakuzë kundër Agron Mustafës, Ejup Qerimit dhe zyrtarëve tjerë të PTK-së, për shkak se ata kishin refuzuar ofrimin e shërbimeve, me çka i kanë shkaktuar dëm PTK-së, në vlerë mbi 30 milionë euro.

Kompania “Z-Mobile”, ka bërë negociata me PTK-në për shfryrjen e borxhit, por deri tash nuk është kompensuar. Rrjedhimisht, i është drejtuar kompanisë publike me një shkresë që nëse nuk i shlyen detyrimet, rastin do ta dërgojë në përmbarim.

Ky paralajmërim është kapur nga politika për të ushtruar presion që detyrimet mos të paguhen, ani se një gjë të tillë e imponon vendimi i paapelueshëm i Arbitrazhit.

Në këtë situatë ka ndërhyrë politika me anë të një komisioni hetimor, pjesë e të cilit janë edhe njerëz të akuzuar për mashtrim, e shmangie nga tatimi. Përfshirja e Milaim Zekës si nënkryetar dhe iniciues i këtij komisioni komprimiton hetimet që do të zhvillohen nga parlamentarët.

Një debat parlamentar është bërë për këtë çështje. Shumica e deputetëve nuk janë marrë me keqmenaxhimin dhe mbi punësimet nepotiste në këtë ndërmarrje, por vetëm me kontratën për operatorin virtual për të cilën ka pasur proces gjyqësor.

Si nisi historia me “Z-Mobile”?

Një biznesmen shqiptaro-amerikan i quajtur, Adrian Shatku, i kishte dërguar një letër më 9 janar 2009, kryesuesit të Bordit të Postës dhe Telokomit të Kosovës për problemet që kishte me aksionarët e Dardafon LLC. Aksionarë, ishin vëllezërit Devolli.

Ai, akuzonte vëllezërit Devolli se siç pretendonte ai, në mënyrë të kundërligjshme kishin hyrë në partneritet biznesi me PTK-në nëpërmjet Dardafon.net e jo Dardafon, siç ishte miratuar nga PTK-ja.

Këto letra kishin arritur edhe në EULEX, mision për sundim të ligjit. Prokurorët, kishin nisur një hetim, më i madhi deri në atë kohë që lidhej me pretendime për vepra korruptive. Mbi këto pretendime, prokurorët kishin urdhëruar bastisjen e PTK-së dhe pronave të vëllezërve Devolli, më 15 korrik 2010.

Një vit me vonë, prokurori special, Joachim Stollberg, kishte ngritur aktakuzë kundër ish-drejtorit të PTK-së, Shyqyri Haxha, ish-kryetarit të bordit, Rexhë Xhonbalaj, vëllezërve Devolli, dhe drejtorit të Dardafonit, Ismet Bojku.

Haxha dhe Gjonbalaj akuzoheshin për lidhje të kontratave të dëmshme, shpërdorim të detyrës zyrtare dhe keqpërdorim të autorizimeve në ekonomi.

Blerim dhe Shkelqim Devolli dhe drejtori i kompanisë së tyre, Ismet Bojku akuzoheshin për mashtrim, lidhje të kontratave të dëmshme, keqpërdorim të besimit, falsifikim të dokumenteve dhe krim të organizuar.

Mbi 30 seanca gjyqësore kishin rezultuar me shpalljen të pafajshëm të të gjithë të akuzuarve. Madje, kryetari i trupit gjykues e kishte cilësuar aktakuzën krejtësisht të panevojshme.

“Ka qenë një ndër vendimet më të lehta që ne si trup gjykues e kemi arsyetuar, pasi që nuk ka pasur prova që e dëshmonin fajësinë”, kishte thënë kryetari i trupit gjykues, Viktor Hygo Pardal.

Marrëveshja që ngjalli dyshime

PTK-ja, ka ofruar shërbime të telefonisë fikse dhe mobile për më shumë se tetë vjet duke pasur monopol të plotë në treg. Kjo ndërmarrje, ka ofruar shërbime deri në 32 centë për minutë, derisa SIM-kartelat i ka shitur deri në 800 euro.

Ky monopol dhe abuzim me çmime i kishte ofruar fitime të mëdha. Monopoli ishte thyer me hyrjen në treg të kompanisë, IPKO. Çmimet ishin përgjysmuar. Hyrja në treg e operatorit të dytë i kishte shkaktuar ulje drastike të fitimit, PTK-së.

Për gjashtë muajt e parë të operimit, Vala kishte humbur mbi 300 mijë konsumator, kishte shpjeguar, Haxha në procesin gjyqësor.

Më 3 tetor 2007 PTK-ja kishte shpallur tenderë për lidhjen e Operatorit Virtual për Telefoni Mobile, që njihet ndryshe si Operator Virtual (MVNO).

Kjo ishte bërë në pamundësi për të shtrirë e konsumatorëve më shumë në treg. Kjo marrëveshje parashihte që një numër i madh SIM kartelash t’i ofroheshin kompanisë private për marrjen e më shumë klientëve. Fitimi do të ndahej 37 për qind për PTK-në.

Kompania Dardafon LLC ishte krijuar më 9 janar 2007. Përbëhej nga tri kompani. Unitel Ëorld kishte 48 për qind të aksioneve, Via One – 10 për qind dhe Devolli Group Company – 42 për qind të aksioneve.

Aksionari më i madh ishte, Ardian Shatku me 48 për qind. Aksionari më i vogël ishte kompania amerikane, Via One. Konzorciumi kishte aplikuar për licëncë në ARK. Më 29 maj 2008 ART e kishte licencuar Dardafonin për 15 vjet.

Pas kësaj, kishin nisur negociatat me PTK-në.

Në kuadër të negociatave, Bordi i PTK-së, kishte krijuar dy Task Forca. Më 14 gusht 2008 ishte krijuar Task Forca 1, mekanizëm ky që do të negocionte kushtet kontratës. Trupa përbëhej nga Genc Lani – kryesues, Afrim Bejtullahu dhe Burim Karahaoda – përgjegjës për çështje juridike – teknike.

Adnan Merovci – ish-kryeshef ishte autorizuar nga bordi që të prezantonte projekt-marrëveshjen për nënshkrim me Dardafonin. Detyra e parë që e priste Bordin e zgjedhur në korrik 2008, ishte lidhja e kësaj kontrate. Bordi përbëhej nga Rexhë Gjonbalaj – kryesues, Suzana Anxhelkoviq, Emine Pireva, Nuhi Ahmeti dhe Abdyl Ymeri – anëtarë.

Një trupë tjetër ishte formuar në tetor 2008, për të vlerësuar përqindjen e fitimit. Kjo kishte ndodhur pasi disa anëtarë të Bordit nuk ishin pajtuar që ndarja e fitimit të ishte 22, me 78 për qind në interes të Dardafonit.

Task Forca II përbëhej nga Sebahedin Ramaxhiku, Isak Krasniqi, Genc Rraci, Driton Halili, Malsor Kusari, Fatos Bakalli dhe Astrit Musa. Kjo Task Forcë kishte rekomanduar që ndarja e fitimit të ishte 73 për qind duhej për PTK-në dhe 27 për Dardafonin.

Ky vlerësim nuk ishte pranuar nga Bordi, i cili me tri vota vota për, një kundër dhe një abstenim kishte vendosur bazuar në rekomandimin e Task Forcë ! Votimi ishte bërë më 20 tetor 2008, duke rekomanduar lidhjen e marrëveshje me Dardafonin.

Dardafoni, krijoi kompaninë e quajtur Z- Mobile.

Para nënshkrimit të kontratës, Shyqyri Haxha kishte negociuar me Dardafonin, duke rritur përqindjen e fitimit për PTK-në nga 22 në 27 për qind. Kështu, ishte vendosur.

Prokuroria, ndërkaq, akuzonte menaxnmentin e PTK-së se kishin nënshkruar marrëveshje të pafavorshme për PTK-në sipas rekomandimit të Task Force 1 e jo sipas rekomandimit të Task Force 2.

Por, procesi gjyqësor konstatoi se kjo kishte të bënte krejtësisht me një marrëveshje komerciale, pa elemente të veprës penale.

27 përqindshi i fitimit ishte i pastër për PTK-në, derisa Dardafon ishte obliguar që t’i mbulonte shpenzimet kapitale, si për shembull materialet për prodhim të SIM kartelave, pagat e punëtorëve, etj.

Ekspertët në gjykatë kishin konstatuar se me këto shpenzime që hiqeshin nga Dardafon, përqindja e fitimit ishte e barabartë në mes të dy palëve. Bile, sipas ekspertëve kjo marrëveshje ndaloi humbjen e konsumatorëve dhe shkaktoi rritje të fitimit për PTK-në.

Për shkak të mosmarrëveshjeve në mes të aksionarëve, Devollët kishin krijuar një kompani tjetër me emrin Dardafon.net, me të cilën kishin nënshkruar kontratën.

Vëllezërit Devolli, kishin blerë aksionet nga Ardian Shatku, në vlerë prej një milion eurosh.

ART, e kishte transferuar licencën nga Dardafon, në Dardafon.net. 90 për qind të aksioneve i kishte në pronësi, Shkelqim Devolli, derisa 10 për qind kompania amerikane, K-Com. Me vonë, vëllezërit Devolli, kishin blerë këto aksione duke krijuar pronësi 100 për qind.

Mosmarrëveshjet në mes të aksionarëve, Gjykata i kishte cilësuar kontest civil, e jo materie penale për Prokurorinë.

Prokuroria fshehu provat shfajësuese për të akuzuarit

Gjatë procesit hetimor, kompania e vëllezërve, Devolli, kishte dorëzuar një provë tek prokurori i rastit, i cili shkonte në favor të shfajësimit të tyre.

Por, ky dokument ishte fshehur nga prokurori i cili kurrë nuk e kishte prezantuar në Gjykatë. Dokumenti –dëshmia e pagesës, tregonte se Devollët kishin paguar licencën në ART. Pagesën e kishte bërë, Xhelal Radoniqi – drejtor komercial.

Pagesa dëshmonte se pronarët po ushtronin veprimtari biznesore në përputhje me ligjin. Prokurori, asnjëherë nuk kishte folur për fshehjen e këtij dokumenti në Gjykatë, ani se shumë herë i ishin kërkuar sqarime.

Kësisoj, aktakuza që bazohej tërësisht në letrat e Ardian Shatkut, ishte hedhur poshtë. Ai nuk ishte intervistuar kurrë nga Prokuroria dhe nuk ishte sjellë si dëshmitar në gjykatë. Aktgjykimi lirues ishte vërtetuar edhe nga shkalla e dytë e gjykatës.

Njëri prej deputetëve që kishte bërë shumë zhurmë për këtë kontratë, ishte Naim Rrustemaj, ish-deputet i PDK-së. Ai është vëllai i ish-drejtorit të PTK-së, Etrur Rrustemaj, dhe vëllai i Ilir Rrustemajt, i cili pas luftës ka qenë drejtor i SHIK-ut në Mitrovicë.

Në disa seanca në Kuvend, Naim Rrustemi, kishte thënë se PTK ka humbur 200 milionë euro me këtë kontratë. Kur ishte ftuar në Gjykatë për të dëshmuar, ai kishte thënë se akuzat e tij kanë qenë “opinion i lirë i tij”.

E, pavarësisht këtij procesi, politika sërish po synon ta hetojë këtë kontratë e cila i është nënshtruar një procesi hetimor e gjyqësor mbi dy vjeçar. /Insajderi.com