Dhjetëra mijëra njerëz janë mbledhur nëpër gjithë Sllovakinë për ta shënuar përvjetorin e vrasjes së gazetarit hulumtues Jan Kucijak dhe të fejuarës së tij Matina Kusnirova dhe kanë kërkuar përgjigje se kush i ka urdhëruar këto vrasje.

Kucijak dhe Kusnirova janë vrarë në banesën e tyre më 21 shkurt 2018, ndërsa autoritetet sllovake besojnë se bëhet fjalë për vrasje me porosi në lidhje me hulumtimet e Kucijakovit mbi lidhjet e mundshme korruptive në mes politikanëve dhe mafiozëve italian.
Katër persona të dyshuar për këtë krim janë arrestuar dhe akuzuar, mirëpo besohet se urdhëruesi i vrasjes ende është në liri. Vrasja e këtij gazetari dhe të fejuarës së tij ka shkaktuar protesta masive në Sllovaki dhe krizë politike e cila rezultoi me shkarkimin e shefit të policisë dhe rënie të qeverisë.
Demonstruesit edhe sot kanë kërkuar përgjigje se si po rrjedhin hetimet.
“Ne duam t’i kuptojmë emrat e atyre të cilët e kanë porositur këtë krim të tmerrshëm”, ka deklaruar organizatorja e protestës Karolina Farska./Insajderi.com.