Aktakuza ndaj Thaçit e Veselit

Dhomat e Specializuara për Insajderin: Aktakuza bëhet publike në paraqitjen e parë të të akuzuarve në Gjykatë – nëse konfirmohet

Nesër, 24 tetor, bëhen gjashtë muaj prejse është ngritur propozim-aktakuzë për Hashim Thaçin e Kadri Veselin. Prandaj nesër pritet që Gjykata të del me një vendim për konfirmimin ose hedhjen poshtë të aktakuzës. Gazeta Online Insajderi ka kontaktuar me zyrtarë të Speciales. Nga Haga thonë se asgjë s’do të bëhet publike derisa të ketë një paraqitje të parë në Gjykatë të të akuzuarve – gjithmonë nëse fillimisht përfundojnë në bankën e të akuzuarve.

Dhomat e Specializuara për Insajderin: Aktakuza bëhet publike në paraqitjen e parë të të akuzuarve në Gjykatë – nëse konfirmohet

Edhe pse pritet që deri më datë 24 tetor të njoftohet nëse Gjykata Speciale ka konfirmuar ose jo propozim-aktakuzën ndaj Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe liderit të Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli, nga ky institucion nuk shprehen as pro as kundër shpalljes së ndonjë verdikti final.

Të paktën kështu është bërë e ditur për Gazetën Online Insajderi, nga ana e Dhomave të Specializuara, nga ku nuk kanë konstatuar se nesër do të konfirmohet propozim-aktakuza e ngritur para gjashtë muajsh.

Zëdhënësja e Dhomave të Specializuara, Angela Griep, në një përgjigje për redaksinë shprehet se një aktakuzë e tillë, e nisur për shqyrtim nga Tribunali i Hagës, mund të konfirmohet nëse ajo bëhet publike jo më vonë se paraqitja e parë e të dyshuarve para Gjykatës.

‘’Rregullat e Procedurës dhe Provave parashikojnë që, nëse konfirmohet, një aktakuzë do të bëhet publike jo më vonë se paraqitja fillestare e të Akuzuarit para Gjykatës’’, ka thënë ajo.

Nga ZDhS-ja lënë të kuptohet se konfirmimi ose jo i aktakuzës, mund të ndodhë edhe pas periudhës gjashtëmujore hetimi, që nga paralajmërimi i saj.

Por, deri atëherë nuk mund të publikohet asgjë rreth procedurave në lidhje me të.

“Derisa një aktakuzë të bëhet publike ajo mbetet konfidenciale, së bashku me procedurat në lidhje me rishikimin e saj”, ka shtuar tutje Griep.

Thaçi e Veseli akuzohen nga Prokuroria Speciale për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Tashmë ekziston edhe propozim-aktakuzë ndaj tyre.

Më 24 qershor, Prokuroria Speciale publikoi një aktakuzë (ende të pakonfirmuar nga gjykata) ndaj Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli dhe disa të tjerëve, të cilët akuzohen për krime, të cilat përfshijnë: vrasje, zhdukje, përndjekje dhe tortura.

Prezantimi i aktakuzës ndaj presidentit Thaçi, ndodhi në kohën kur ky i fundit ishte rrugës për në Shtëpinë e Bardhë në Uashington, për ta rifilluar dialogun Kosovë-Serbi, ku do të takohej me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Sipas Thaçit, “komunikata e prokurorit”, e pamundësoi takimin në Shtëpinë e Bardhë,  që organizohej nga i ngarkuari i presidentit amerikan për dialogun, Richard Grenell.

Veseli, një nga themeluesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishte ftuar në Hagë në dhjetor të vitit të kaluar.

Pas kthimit nga Holanda, Veseli kishte folur pak për atë se çfarë kishte ndodhur atje – më shumë ishte fokusuar në ndodhitë e dikurshme.

Ai nuk kishte treguar shumë detaje në lidhje me qëndrimin e tij përballë hetuesve të Gjykatës Speciale.

“E kam përfunduar intervistën. Vitet 90’ta kanë qenë vite të rënda për popullin tonë, një nënshtrim para Serbisë për spastrim etnik, dmth për gjenocid kundër popullit tonë. Ne iu kemi kundërvënë, Lëvizja jonë çlirimtare ka qenë Ushtria Çlirimtare e Kosovës, përballje me gjenocidin serb. Lufta e UÇK-së ka qenë përballje me spastrimin etnik, të cilën ka synuar Serbia ta bëjë në Kosovë”, pati thënë Veseli në një video-mesazh pas kthimit nga Haga më 10 dhjetor 2019, por që më nuk është ftuar nga kjo Gjykatë.

Gjykata Speciale është themeluar në vitin 2015, ku Kuvendi i Kosovës miratoi ndryshimet kushtetuese.

Madje më 24 shtator kjo Gjykatë ka kryer edhe arrestimin e parë në Kosovë.

Salih Mustafa, i cili në kohën e fundit ka qenë zyrtar i lartë në Drejtorinë e Inteligjencës dhe Sigurisë në Ministrinë e Mbrojtjes, është i dyshuari i parë i Specialës që tashmë ka arrestuar.

Në njoftim thuhet se arrestimi është bërë në Kosovë, në bazë të një fletarrestimi dhe urdhri për transferim, pas konfirmimit të aktakuzës.

“Mustafa po transferohet në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë dhe do të dalë para gjykatësit të procedurës paraprake pa vonesë të papërligjur”, thuhet në njoftim. /Insajderi.com