Dhunim, hakmarrje, vepra terroriste – Ky është dënimi që mori Avni Llumnica

Dhunim, hakmarrje, vepra terroriste – Ky është dënimi që mori Avni Llumnica

Avni Llumnica i akuzuari në rastin “Syri i Popullit”, është dënuar sot me 12 vjet burg nga Gjykatën Themelore në Prishtinë.

Llumnica u dënua për veprën penale të hakmarrjes me 3 vjet burg, për dhunim 1 vit, për shkak të veprave terroriste 10 vite, kurse më pas ndaj tij, është shpallur dënim unik prej 12 vitesh burgim. Atij i llogaritet edhe koha në paraburgim dhe i konfiskohet vetura “BMW”, me targa të huaja.

“Avni Llumnica fajtor, sepse me dashje që i akuzuari Murat Jashari të vras Azem Vllasin i dha ndihmë atij duke e sjell nga Zvicra të akuzuarin Jashari, e me pas e ka ftu edhe si mysafir në shtëpinë e tij, e më pas kanë qenë edhe në Vilën Panorama, e më pas edhe i ka pagu fjetjen pasi që i akuzuari Jashari e ka kry tentim vrasjen ata sërish kanë dashtë për tu kthy në Zvicër. Është vërtetuar se i akuzuari ka kry hakmarrje në ndihme. I akuzuari po ashtu sa ishte në qendër të paraburgimit në Lipjan me kanosje dhe me forcë e ka detyruar të kryej marrëdhënie seksuale dhe ka kryer veprën sulm seksual. Me pas edhe Ragip Sallova, Sadri Ramabaja, Behxhet Luzha, Halim Halimi, Bajrush Konjusha, Rexhep Topllana dhe Murat Jashari janë fajtor sepse kishin themeluar organizatën ‘Syri i Popullit’, ku ishte marr vendim që të fillojnë me aksione të ndryshme me qëllim të shkatërrimit të akterëve shtetëror, duke përpiluar një listë për likuidim”, ka thënë kryetarja e trupit gjykues, Shadije Gërguri, raporton Betimi për drejtësi.

Pas shpalljes së aktgjykimit dhe shqiptimit të dënimit ndaj tij me 12 vjet burg, në sallë pati reagim nga ana e të akuzuarit Avni Llumnica, i cili iu drejtua trupit gjykues me fjalët “ju jeni shkije”.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK), më 27 shkurt 2018, ka ngritur aktakuzë ndaj Avni Llumnica, Ragip Sallova, Sadri Ramabaja, Sabit Berisha, Behxhet Luzha, Halim Halimi, Bajrush Konjusha, Lirije Luzha dhe Rexhep Topllana për vepra të ndryshme penale.

Sipas aktakuzës, i pandehuri Avni Llumnica me dashje që i akuzuari Murat Jashari të vriste për hakmarrje të dëmtuarin Azem Vllasin, i kishte dhënë ndihmë Jasharit në kryerjen e veprës penale.

Ndërsa, sipas pretendimeve të Prokurorisë, kur i pandehuri Murat Jashari kishte kryer vepër penale ndaj Azem Vllasit, ai bashkë me të akuzuarin Llumnica ishin takuar në qytet dhe pasi që kishin dashur të largoheshin për në shtetin e Zvicrës në orën 12 të mbrëmjes ishin arrestuar nga Policia e Kosovës.

Me këtë, Llumnica akuzohet se ka kryer veprën penale “ hakmarrje në ndihmë” nga neni 396 I KPRK-së.

Llumnica sipas kësaj aktakuzë sa ishte në Qendrën e paraburgimit në Lipjan më 16 maj 2017 thuhet se duke përdorur kanosjen dhe forcën ka dhunuar të dëmtuarin N.Z  duke e futur në banjo të dhomës së paraburgimit dhe duke e detyruar të njëjtin që t’i bëj seks oral. Sipas akuzës Llumnica edhe para se të ndodhte rasti disa ditë më parë e kishte ngacmuar seksualisht të dëmtuarin në fjalë.

Llumnica akuzohet për veprën penale “dhunim” nga neni 230 i KPRK-së.Të pandehurit Murat Jashari, Avni Llumnica, Ragip Sallova, Sadri Ramabaja, Rexhep Topalla, Bajrush Konjusha, Sabit Berisha, Halim Halimi, Bexhet Luzha dhe Lirije Luzha, pretendohet se më 15 maj 2017, siç thuhet në aktakuzë, si pjesëtarë të organizatës kriminale “Syri i Popullit”, me të ashtuquajturin ‘Avni Rrustema’ diku në një shtet të Evropës kishin filluar aksionet e kundërligjshme me qëllim që të destabilizonin ose shkatërronin strukturat themelore politike, ekonomike dhe kushtetuese të Republikës së Kosovës.

Sipas aktakuzës, të njëjtit thuhet se kishin planifikuar sulme dhe  vrasje ndaj personaliteteve të lartë shtetëror të konsideruar si ish funksionarë të viteve 1980-1991 si tradhtar të vendit. Këto sulme, sipas aktakuzës, ata kishin planifikuar t’i kryenin ndaj Presidentit të Kosovës Hashim Thaçi, kryetarit të Kuvendit Kadri Veseli, ish-kryeministrit Isa Mustafa, ish-ministrit Hajredin Kuçi, Xhavit Haliti, Fatmir Limaj duke vazhduar me komandantë të luftës së UÇK-së, drejtorin e ATK-së, klerikët fetarë etj.

Sipas akuzës, ky grup me qëllim të vrasjes së këtyre personave që i konsideronin si tradhtar kishin themeluar fondin “Liria e Atdheut” dhe si organizatë “Syri i Popullit” kishin një strukturë të ndarë në bazë të hierarkisë, kishin emra të koduar dhe detyra të ndara thuhet ndër tjera në aktakuzë.