Digjet një pjesë e kampit të refugjatëve në Mitrovicë, gjashtë të lënduar

Digjet një pjesë e kampit të refugjatëve në Mitrovicë, gjashtë të lënduar

Në orët e hershme të mëngjesit të së enjtes, një pjesë e kampit në Bair të Mitrovicës, në të cilin janë të strehuar refugjatët sirianë dhe persona të tjerë nga vendet e tjera, është përfshirë nga flakët.

Burimet e Insajderit bëjnë të ditur se si pasojë e këtij zjarri, gjashtë persona kanë kërkuar ndihmë mjekësore në Spitalin e Mitrovicës për shkak të djegies së syve nga tymi.

Rastin për Insajderin e ka konfirmuar edhe zëdhënësi i Policisë së Kosovës, për rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti.

“Nuk është djegë tërë kampi, por vetëm një pjesë që është në shfrytëzim të tyre. Rasti është iniciuar dhe po cilësohet si shkaktim i rrezikut të përgjithshëm. Aktualisht në vendin e ngjarjes gjenden zjarrfikësit dhe Policia e Kosovës. Nuk dihet ende se çfarë e ka shkaktuar zjarrin. Këto janë informacionet fillestare për rastin”, ka thënë ai./Insajderi.com