Ditë zie sot në Kosovë, nderohen viktimat e aksidentit tragjik në Kroaci

Ditë zie sot në Kosovë, nderohen viktimat e aksidentit tragjik në Kroaci

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka marrë vendim që e hëna e 26 korrikut të shpallet ditë zie shtetërorem në nderim të qytetarëve kosovarë që humbën jetën tragjikisht në një aksident trafiku në Kroaci, njofton Insajderi.

Kështu është bërë e ditur nga Zyra e Presidentes, ku thuhet se shkaku i kësaj ngjarje tragjike, Osmani e ka ndërprerë vizitën e saj në Japoni dhe sot do të udhëtojë drejt Kosovës.

“Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, në mbështetje të Kushtetutës së Kosovës, ka marrë vendim që dita e hënë, 26 korrik 2021, të shpallet ditë zie, shtetërore në nderim të qytetarëve të Republikës së Kosovës, të cilët kanë humbur jetën tragjikisht në aksident trafiku në Republikën e Kroacisë”, thuhet në njoftimin e ZPRK-së.

“Shkaku i kësaj ngjarje tragjike, Presidentja Osmani e ka ndërprerë vizitën në Japoni dhe nesër do të udhëtojë për në Kosovë”.

10 persona kanë humbur jetën dhe mbi 40 të tjerë janë lënduar gjatë mëngjesit të së dielës në Brod të Kroacisë, në një aksident të një autobusi i cili po vinte nga Gjermania në Kosovë.

Kryeministri Albin Kurti së bashku me disa ministra të tjerë kanë udhëtuar për në Kroaci, ku kanë vizituar të lënduarit të cilët po trajtohen në spital.

Shumica nga ta janë jashtë rrezikut për jetë. /Insajderi.com