
Familja e 26-vjeçarit, Liridon Uruqi, i cili sipas policisë dyshohet për vrasje të rëndë në Bresalc të Gjilanit, thonë se e gjithë kjo ngjarje ka ndodhur aksidentalisht.
Nëna e Liridonit, tregon se djali i saj është penduar për këtë vrasje. Ajo thotë se Liridoni i tha asaj sot në mëngjes se aksidentalisht kishte gjuajtur me armë në drejtim të shokut të tij, Fatlindit.
“Liridoni sot ka ardh në shpi. Kemi fol me to. Fatlindin e ka pas shokë për shpirti. Ka ardhë te na ka hanger bukë në tavolinë me neve. Ama që i ndodhi kjo na jem të mërzitmë sa për ata sa për neve. Liridoni sot ka ardh ne shpi’, thotë nëna e të dyshuarit, Liridonit, i cili tashmë gjendet në qendrën e paraburgimit në Gjilan.
Ajo tregoni se si Liridoni ia ka shpjeguar të gjithë ngjarjen.
“Na tha që i ka ra arma në tokë. Tu u kaqamitë më ta e ka marrë armën e ka gjujtë, kur e ka pa Fatlindin e kish rrokë. Tha më tha Fatlindi o Liridon me rroke. Prej aty tha e ka marrë Fatlindin me kerr e ka qu në spital. Tha më vdiq në duar të mija. Liridoni veç ka qajtë. Tha nuk po më dhimet vetja që hi në burg po më dhimbset djali i hasretit që e mora në qafë”, thotë ajo për Gazetën Express.
Babai i Liridonit, tregon se ditët në vijim do të shkojnë në familjen e viktimës per t’u kërkuar atyre falje për gjitbë këtë rast.
“Ne nuk kemi shku të familja e Fatlindit ende. Po presim edhe disa edhe të shkojmë’, thotë babai i Liridonit të dyshuar për vrasje.”
Ngjarja ka ndodhur mbrëmë rreth orës 23:00 pas një zënke qe Fatlind Arifi pati me Liridon Uruqin, ku ky i fundit edhe e vrau 22-vjeçarin.
“Ngjarja ka ndodhur mbrëmë rreth orëve të mesnatës, pas orës 23:00. Nga hetimet e para është mësuar se ngjarja ka ndodhur pas një zënke që ka kanë pas mes vete, njëri nga të dyshuarit me inicialet L.U ka shtënë me armë zjarri në drejtim të F.A. Viktima është dërgua në qendrën Emergjente këtu në Gjilan por mjekët aty vetëm e kanë konstatuar vdekjen. I dyshuari kryesor është arrestuar sot në orët e paradrekes. Ai është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës dhe Prokurori i shtetit ka urdhëruar që i dyshuari bashkë me vëllanë e tij të dërgohen për në paraburgim”, ka thënë Ismet Hashani, zëdhënës i policisë në rajonin e Gjilanit.
Sipas policisë për këtë rast janë intervistuar së paku gjashtë persona.
Trupi i pajetë i Fatlindi Arifit, 22-vjeçar, pas obduksionit do të varroset sot në varrezat e fshatit Bresalc të komunës së Gjilanit. Ky rast, sipas fshatarëve të asaj zone, është rasti i parë i vrasjes.