Djali i Ukshin Hotit e quan marrëzi zëvendësimin e grafitit të babait me atë të Astrit Deharit

Djali i Ukshin Hotit e quan marrëzi zëvendësimin e grafitit të babait me atë të Astrit Deharit

Zëvendësimi i grafitit “Ku është Ukshin Hoti” me atë “Drejtësi për Astritin” ka zemëruar djalin e veprimtarit të njohur Ukshin Hoti, duke e quajtur “kulm të marrëzisë”.

Ai ka reaguar me këtë gjuhë ndaj aktivistëve të Vetëvendosjes të cilët kanë fshirë grafitin për Ukshin Hotin për t’i zëvendësuar me ato të Astrit Deharit.

“Një tragjedi familjare të cilën ‘Vetëvendosja’ po e keqpërdor në mënyrë të turpshme për kauzën e saj politike, ka shkelur edhe mbi kërkesën e qytetarëve të Prishtinës për fatin e babait tim, Ukshin Hotit. Ju s’keni TURP! “, ka shkruar Andin Hoti, djali i veprimtarit që ende figuron i zhdukur.

Hoti ka kritikuar VV-në për dyfytyrësi.

kueshte

“S’ka shumë kohë kur deklaronit se ju e ndiqni platformën e Ukshin Hotit, ndërsa sot po ju pengon iniciativa e qytetarëve me mbishkrimin ‘Ku është Ukshin Hoti?’.Apo s’po mund ta përdorni edhe më tutje emrin e tij dhe tani vazhdoni me Astritin, një djalë fatkeq vdekjen e të cilit e keni kthyer në kauzë politike”, ka shkruar djali i Ukshin Hotit.

Ai ka shtruar edhe një pyetje për VV-në.

drejtesi

“Si guxoni ta shfrytëzoni deri në këtë pikë tragjedinë e një të riu, apo thjesht jeni duke ‘luftuar’ që ta pengoni sqarimin e plotë të saj!Jo pak herë më keni sulmuar në mënyrë indirekte për interesat Tuaja politike, por ato i kam kaluar si hesape të lojës politike”, ka shkruar ai në Facebook.

E krejt në fund, ka dhënë një mesazh.

“Kjo është e pafalshme!”, ka përfunduar ai./Insajderi.com