“Djalin ma ka përdhunuar dikush dhe ma ka mbytur” – nëna rrëfen për vdekjen e 11 vjeçarit nga Fushë Kosova

 “Djalin ma ka përdhunuar dikush dhe ma ka mbytur” – nëna rrëfen për vdekjen e 11 vjeçarit nga Fushë Kosova

Të enjten e 11 korrikut, poshtë shkallëve të një kompleksi banesor në lagjen ‘Xhemail Mustafa’ të Fushës Kosovës, u gjet i vdekur K.Veseli 11 vjeç. Ai, sipas familjes, dyshohet se u dhunua seksualisht dhe pastaj u vra nga një person derisa po kërkonte kanaçe në rrugët e këtij qyteti.

Familja po e akuzon një person për vdekjen e djalit të tyre. Ndërkohë i dyshuari sipas fqinjëve është një person me të kaluar problematike, rreth të 20-ve. Express  sjell rrëfimin e dhimbshëm nga familja, dëshmitarët, fqinjët e policia rreth vdekjes së 11-vjeçarit.

Nëna e tij e të ndjerit, Makfire Ilazi, ka dhënë detaje të frikshme rreth mënyrës se si i vdiq djali.

Ajo dyshon se i biri iu maltretua nga një person jo shumë më i madh se djali i saj. Thotë se djali, K.Veseli i ishte ankuar disa herë se po abuzohej fizikisht, psikikisht e seksualisht nga një person tjetër i komunitetit rom. Për këto ankesa të së birit, Makfirja i ka thënë gazetës se është ankuar edhe në policinë e Kosovës.

“Djali me do shokë ka pas problem. Një djalë, aj shumë e ngucke, kur dilte nëpër kanta ai e ngucke. Djali gjithë më qajke. ‘Kam frikë oj nanë prej një djali’, më thoshte. Djali nuk e di, gjithë ka qajtë prej atij”, rrëfen me lot në sy për djalin e vdekur nëna Makfire.

Ajo ka treguar se djali, tashmë i ndjeri 11-vjeçari K.Veseli, i kishte thënë se ky person i cili e kishte ngacmuar vazhdimisht e kishte dhunuar dy herë edhe seksualisht.

“’Po më kap’, më thoshte ‘oj nanë. Po m’rreh, po m’kap’, më thoshe. E ka dhunu, dy herë djalin seksualisht. Unë po du me ditë se kush ma ka ba këtahen. Djali më vinte me ftyrës. Sa herë që vinte në shpi krejt i ënjtur ishte në fytyrë. Thoshte kam djagësim kur e kryente nevojën e madhe”, tregon se çka i kishte thënë djali tashmë i ndjerë nënës së tij, Makfire Ilazit pas dhunës që sipas saj djali po e përjetonte nga ky person.

“Ai e ka kap djalin oj motër. Ka që dy muaj a tre. Unë e kam lajmërua edhe ma herët këtë rast.  Ai djalë është i ri, merret edhe me do punë tjera. Aj ka qëndrua ka shtëpitë tona. Në baraka”, thotë tutje nëna e 11-vjecarit të ndjerë K.Veselit

Ndërkohë, pas familjes së viktimës, ka shkuar edhe të shtëpia e S.O., i cili po akuzohej nga fqinjët e nga familja e së ndjerit si i dyshuar në lidhje me rastin.

Aty, qenë të pranishëm edhe zyrtarë të policisë së Kosovës duke e kërkuar të dyshimtin, por edhe familjarët e tij.

Por familja e S.O., të enjte rreth orës 23:00 e kishin lëshuar shtëpinë e tyre. Njëri nga fqinjët e të dyshuarit, tregoi se 20-vejçari njihet si tip problematik se dhe në shtëpinë e tij nuk qëndronte shumë. Tha se çdoherë kishte pasur probleme me familjarët e tij.

Sipas komshiut të S.O., familja e tij kishte dalë nga shtëpia, ngase disa persona nga komuniteti rom kishin shkuar në shtëpinë tyre se u kishin thënë se djali i tyre S.O., po akuzohet për vrasjen e 11-vjeçarit, K.Veseli.

“Ju nuk keni më vend këtu. Nëse djali jot e ka mbytë djalin nuk keni pse rrini këtu”, tregon fqinji për deklaratat e banorëve që i kishin shkuar në shtëpi të enjten mbrëma familjes së S.O.

Megjithatë, autopsia në trupin e 11-vjecarit tashmë ka përfunduar. Këtë e ka konfirmuar për Express, Arsim Gërxhaliu. Mirëpo, ai nuk ka dhënë detaje rreth gjetjeve.

Trupi i pa jetë i K.Veselit i është kthyer familjarëve për ceremoninë mortore. Ai u varros sot në drekë në varrezat e qytetit të Fushë Kosovës