DnV do të vëzhgojë procesin zgjedhor në veri me mbi 100 vëzhgues

DnV do të vëzhgojë procesin zgjedhor në veri me mbi 100 vëzhgues

116 vëzhgues nga koalicioni i OJQ-ve vendore për vëzhgimin e zgjedhjeve “Demokracia në Veprim”, do të përfshihen në vëzhgimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme për kryetar të komunave Mitrovicë e Veriut, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan, që do të mbahen më 19 maj.

Vëzhguesit nga DnV do të përfshihen në vëzhgimin e periudhës para, gjatë dhe pas ditës së zgjedhjeve. Ata do të bëjnë vëzhgimin e të gjitha aktiviteteve të fushatës parazgjedhore, e cila do të fillojë nesër dhe do të zgjasë deri më 17 maj.

Në ditën e zgjedhjeve, DnV do të ketë vëzhgues në secilin prej 87 vendvotimet në katër komunat e veriut të Kosovës. Po ashtu, DnV do të angazhojë edhe ekipe mobile, të cilat do të përcjellin në përgjithësi mbarëvajtjen e procesit zgjedhor.

Lidhur me planin operacional të vëzhgimit, Srdjan Milojeviq nga Advocacy Center for Democratic Culture (ACDC), bëri të ditur se gjithsej 116 vëzhgues do të përfshihen në vëzhgimin e periudhës para, gjatë dhe pas ditës së zgjedhjeve.

Ndërkaq, Ismet Kryeziu nga Demokracia në Veprim ka riafirmuar përkushtimin e DnV-së për të siguruar integritetin e zgjedhjeve, për të promovuar fushatë të qetë zgjedhore dhe për ta informuar publikun në mënyrë të drejtë për ecurinë e procesit.

I pyetur se cila është atmosfera në veri të vendit një ditë para fillimit të fushatës zgjedhore, Kryeziu tha se nuk ka ndonjë indikacion që mund të ketë parregullsi apo presion në proces.

Pas përfundimit të procesit zgjedhor, DnV do të përgatisë edhe një raport të detajuar vlerësues të zgjedhjeve, bazuar në të dhënat e vëzhguesve, në linjë me kornizën ligjore të Kosovës dhe parimet ndërkombëtare të zgjedhjeve.

Kryeziu ka bërë të ditur se janë rreth 58 mijë e 500 qytetarëve me të drejtë vote, 352 të rinj ose 1 mijë e 507 votues më shumë nga viti paraprak. Ai tha se janë 12 kandidatë në katër komuna, në secilën komunë nga tre kandidat dhe se ka pasur kërkesa për regjistrim prej Serbisë nga 1 mijë e 506 qytetarë që kanë kërkuar të votojnë me postë.

Sipas tij, janë 793 aplikacione të pranuara nga KQZ-ja dhe të cilët kanë të drejtë përmes postës të votojnë.

Kujtojmë se këto katër komuna kanë shkuar në zgjedhje pasi kryetarët kanë dhënë dorëheqje pas vendosjes së taksës ndaj mallrave që importohen nga Serbia.