Dogana mbledh 77 milionë euro më pak për gjashtë muaj

Dogana mbledh 77 milionë euro më pak për gjashtë muaj

Një rënie prej 77 milionë euro e të hyrave të përgjithshme të inkasuar nga Dogana e Kosovës, është paraqitur  përgjatë gjashtë muajve të [arë të këtij viti, krahasuar me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, njofton Insajderi.

Për gjashtë muajt e parë të këtij viti, të hyrat e përgjithshme kanë arritur vlerën prej 580 milionë euro, rënie kjo për të cilën zëdhënësi I Doganës së Kosovës, Adriatik Stavileci thotë se është si pasojë e mungesës së importeve të disa produkteve.

“Po të hyrat e Doganës për periudhën gjashtë mujore kanë arritur 580 milionë euro. Nëse krahasohet me periudhën e njëjtë të vitit të kaluar, ne kemi një rënie prej 77 milionë euro më pak të hyra, për arsye se ka rënë konsumi e jo për arsye tjera por si rrjedhojë e mungesës së importeve te disa produkteve të ndryshme. Kryesish këtu ka vende të caktuara nga ka rënë importi, por mund të themi që kemi kategori të produkteve të ndryshme të cilat janë zvogëluar gjatë kohës së pandemisë”, ka thënë ai për EO.

Rënie të importit janë kryesisht produktet e luksit, siç nafta dhe automjetet, teksa thotë se ka 30 për qind më pak automjete sesa vitin e kaluar.

“Mund të marrim si përgjithësi produktet e luksit të gjitha kanë rënë. Nëse marrim vetëm automjetet ne kemi rreth 30 për qind më pak automjete në import se vitin e kaluar, e që janë një burim i konsiderueshëm i të hyrave por kemi rënie edhe të naftës në aspektin e vlerës përshkak se në të gjithë botën ka rënë vlera e importit të naftës dhe normalisht se kjo ka reflektuar direkt në të hyra”, thotë Stavileci. /Insajderi.com/