Donald Trump mbështetet te rritja ekonomike për t’u rizgjedhur president

Donald Trump mbështetet te rritja ekonomike për t’u rizgjedhur president

Ndërsa po afrohet fundi i vitit 2019, ekonomia amerikane po shënon shifra pozitive, duke përmbyllur një periudhë 11-vjeçare të rritjes. Presidenti Donald Trump tha se kjo është arsyeja pse ai meriton rizgjedhjen në vitin 2020.

Siç shpjegon korrespondentja e Zërit të Amerikës, Ardita Dunellari, ekzistojnë rreziqe që mund të dëmtojnë në çdo moment ekonominë dhe mesazhin për rizgjedhjen e presidentit.

Presidenti Trump po lufton kundër procedurave të shkarkimit të tij nga detyra në Uashington, por jashtë kryeqytetit, ai shpreson se shumica e amerikanëve janë të përqendruar tek rritja e aksioneve.

“Ne kemi filluar një bum ekonomik të një niveli që nuk e kemi parë kurrë më parë”, tha Trump.

Mesazhi i presidentit mori një nxitje me të dhënat që tregojnë se shkalla e papunësisë ka rënë në 3.5 për qind, niveli më i ulët në 50 vjet.

Kjo mund të ndihmojë raportet e Presidentit Trump me votuesit, thotë ekonomisti Mark Hamrick.

“Presidenti merr meritën kur ekonomia rritet dhe fajin kur ajo tkurret”, shton Hamrick.

Kandidatët demokratë për president thonë se pabarazia e pagave dhe thellimi i hendekut midis të pasurve dhe të varfërve janë probleme që Presidenti Trump po i injoron.

“Unë mendoj se ne në Amerikë tani jemi në një pikë, ku ata që janë në krye (të pasurit) po thithin tërë pasurinë dhe të gjithë të tjerët kanë mbetur pas”, thotë kandidatja për presidente Elizabeth Warren.

Votuesit duhet të vendosin se kush ka të drejtë në nëntor të vitit të ardhshëm.

Por ndërkohë, mbetet shumë pasiguri në lidhje me ekonominë dhe negociatat e vazhdueshme të administratës me partnerë tregtarë si Kina, të cilat analistët paralajmërojnë se po i mbajnë investitorët pezull.

“Realiteti është se ne kemi akoma tarifa në fuqi, ekziston ende një kërcënim se do të vijnë më shumë tarifa. Dhe ka gjithashtu një përshkallëzim të mosmarrëveshjeve tregtare që mund të kenë ndikim në ekonomi, si për shembull marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Francës”, thotë ekonomisti Hamrick.

Ndërsa, një vit vendimtar zgjedhor po afrohet, pyetjet rreth fuqisë së ekonomisë amerikane dhe pabarazisë në të ardhura mund të jenë faktorë vendimtarë në një vend që mbetet thellësisht i ndarë në lidhje me udhëheqjen e tij aktuale.