Donika Kadaj-Bujupi reagon ashpër ndaj Federica Mogherinit

Donika Kadaj-Bujupi reagon ashpër ndaj Federica Mogherinit

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e AAK-së, Donika Kadaj-Bujupi ka thënë që marrëveshja e mundshme përmbyllëse mes Kosovës dhe Serbisë, nuk mund të jetë proces shërbyes për ngritje karriere profesionale e askujt e aq më pak e përfaqësueses së lartë të Bashkimit Evropian, Federica Mogerinit, përcjellë Gazeta Blic.

Deputetja, ka theksuar që imponimet dhe shantazhet që po bëhen nuk janë  frymë dhe vlerë e Bashkimit Evropian.

Këto komente, ajo i ka bërë në llogarinë e saj zyrtare në “Facebook”,

Gjithashtu deputetja ka potencuar që Republika e Kosovës është për dialog, por për dialog të mirëfilltë dhe përtej interesave personale dhe agjendave politike që e dëmtojnë interesin e vendit.

Postimi i plotë i deputetes:

Marrëveshja e mundshme përmbyllëse mes Kosovës dhe Serbisë nuk mund të jetë proces shërbyes për ngritje karriere profesionale e askujt. Aq më pak e përfaqësueses së lartë të Bashkimit Evropian, Federika Mogerinit, e cila po kërkon që politika e jashtme e Kosovës të drejtohet me parimin e nënshtrimit ndaj kushteve të Aleksandër Vuçiqit dhe Ivica Daçiqit.

Imponimet dhe shantazhet (edhe ato të llojit: kompromise të dhimbshme me Serbinë për liberalizimin e vizave) nuk janë frymë dhe vlerë e Bashkimit Evropian. As ndërmjetësimet me pikëpamje të paracaktuara, siç është “parti pris”-i.

Republika e Kosovës është për dialog, por për dialog të mirëfilltë. Përtej interesave personale dhe agjendave politike që e dëmtojnë interesin e Republikës sonë.