
Drama Shqipe në një pjesë të referimeve, në kuadër të Javës së Albanologjisë, theks të vecantë i ka vënë dramës në kohën socialiste dhe dramës së më vonshme, për të pas një qasje më pas edhe për ndikimin e dramës si trajtë për komunikimin ekzistencial.
Mëngjesin e së enjtes nisi sesioni i radhës që ishte Sesioni i Letërsisë me temën bosht ‘Drama Shqipe’, në Institutin Albanologjik, aty ku që nga dje ka filluar ‘Java e Albanologjisë’, shkruan KultPlus.
Ky sesion u hap me kumtesën e dramaturgut Besim Rexhaj i cili lexoi kumtesën e tij me titull ‘Dhjetëvjetëshi i fundit i dramaturgjisë së shekullit XX (Aspekte dhe Paradokse)’.
Rexhaj, bëri disa dallime në të shkruarit e dramave, duke nis që nga vitet e 70-ta, e këndejmë, duke përfshirë dramat në Kosovë dhe Shqipëri.
“Deri sa drama që krijohet në Kosovë pak më shumë se një dhjetëvjetësh, në dhjetëvjetëshin e viteve 70-ta zhvillohet në kushtet e një liberalizimi të theksuar kulturore artistike, e çliruar artistikisht e thuajse plotësisht nga kthetrat e realizmit socialist, drama dhe dramaturgjia që krijohet në Shqipëri në mënyrë krejt paradoksale në kohën kur shtetet e bllokut i kishin braktisur një dy apo tri dekada më herët dogmat e realizmit socialist, vazhdon të kultivojë me një fanatizëm dhe servilizëm të llojit të vet metodën e realizmit socialist”, nisi kështu Rexhaj.
Rexhaj vazhdon duke thënë se në kohën kur letërsitë e bllokut të lindjes dhe ato të Ballkanit po çliroheshin përfundimisht nga diktatura politike dhe artistike, letërsia dramatike shqiptare që krijohet në Kosovë, posaçërisht ajo që krijohet pas vitit 1981, i ekspozohet një trysnie politike nacionale të egër me burime nga Beogradi, kurse ajo që krijohet në Shqipëri, sipas Besim Rexhajt, shkruhet në një klimë artistike akoma më shtrënguese me burime nga totalitare e shtetit.
“Vetëm në fillim të viteve 90-ta, pas instalimit të pluralizmit politik, përkatësisht vitit 1991, në Shqipëri fillon të kultivohet, nëse jo edhe liria artistike e sociale po liria politike, ajo e mendimit dhe shprehjes artistike”, pohoi Rexha.
Ndërkohë për të lexuar kumtesën e tij me titull ‘Dramat si trajtë e komunikimit ekzistencial’, doli edhe profesor Arben Hoxha.
Ai tha se drama është një nga trajtat e komunikimit ekzistencial, që sipas tij qenia komunikon me një qenie tjetër.
“Drama është një nga trajtat e komunikimit ekzistencial përmes së cilës qenia e ekzistencës njerëzore zbulohet në zonën e një bote dhe Fobosit të përbashkët ekzistencial që rritet nga raporti unë-ti. Drama përbënë fushën më të drejtpërdrejtë të mjedisit Buberian, ku si në asnjë lloj tjetër arti nuk mund të bëhet i mundshëm takimi përmes dialogut unë dhe ti, në fakt takimi i një qenie me një qenie tjetër, atje ku ndodhë akti i vetë ndërgjegjësimit”, theksoi Hoxha.
‘Java e Albanologjisë’, vazhdon në mbajtjen e sesioneve të radhës në Institutin Albanologjik në Prishtinë, me tema mjaft interesante për audiencën duke prekur kështu fusha të ndryshme të artit e kulturës.